Komandanti Iranian: Vrasja e qytetarëve do të pasohet me vdekjen e ushtarëve amerikanë

Një komandant ushtarak iranian ka deklaruar se vrasja e çdo qytetari iranian do të pasohet me vrasjen e një ushtaraku amerikan, duke e përshkruar këtë si një politikë të shpallur zyrtarisht në fushëbetejë, transmeton Anadolu.
Sipas transmetuesit shtetëror IRIB, gjeneralmajori Ali Abdollahi, komandant i Shtabit Qendror Khatam al-Anbiya të Iranit, komanda më e lartë operative ushtarake e vendit në kohë lufte, tha se Teherani tashmë e konsideron këtë masë si një “ekuacion përfundimtar dhe zyrtarisht të komunikuar” që rregullon fushëbetejën.
“Ne e konsiderojmë këtë rregull, natyrën operative të të cilit ia kemi treguar më parë armikut, si një ekuacion përfundimtar dhe zyrtarisht të komunikuar në fushëbetejë nga ky moment e tutje. Për çdo qytetar iranian që bie dëshmor, një ushtarak amerikan do të dërgohet në ferr”, tha Abdollahi.
Abdollahi gjithashtu paralajmëroi forcat amerikane se Irani për ta ka përgatitur “bileta falas dhe të drejtpërdrejta për në ferr”.
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar gjatë dy javëve të fundit pasi presidenti amerikan, Donald Trump, më 8 korrik njoftoi se armëpushimi i përcaktuar në Memorandumin e Mirëkuptimit të Islamabadit nuk është më në fuqi.
Që atëherë, SHBA-ja dhe Irani kanë shkëmbyer sulme, ku Washingtoni ka goditur objektiva brenda Iranit, ndërsa Teherani thotë se ka sulmuar objekte dhe pajisje ushtarake amerikane në disa vende të rajonit.



