Klubi polak refuzon ofertën izraelite për transferim, krahason marrëdhëniet me Tel Avivin me Gjermaninë naziste

Pronari i klubit polak të futbollit Pogon Szczecin, Alex Haditaghi, ka refuzuar ofertat për transferim nga klubi izraelit Maccabi Tel Aviv, duke krahasuar bashkëpunimin me të me bërjen e biznesit me Gjermaninë naziste, transmeton Anadolu.
Haditaghi në platformën sociale amerikan X tha se kishte informuar klubin Maccabi Tel Aviv për vendimin e tij për të mos vazhduar negociatat lidhur me transferimet e mbrojtësve Dimitris Keramitsis dhe Leo Borges.
Në një letër drejtuar presidentit të klubit izraelit dhe të publikuar në llogarinë e tij në rrjetet sociale, Haditaghi tha se futbolli duhet të simbolizojë “shpresën, respektin, unitetin dhe njerëzimin” dhe të jetë “më i rëndësishëm se politika, kufijtë apo ndarjet”.
Megjithatë, ai tha se vuajtjet e vazhdueshme të civilëve në Gaza, Liban, Iran dhe në pjesë të tjera të rajonit e bëjnë të papërshtatshme që klubi i tij të zhvillojë marrëdhënie biznesi me një klub izraelit.
“Duke marrë parasysh vuajtjet e vazhdueshme të civilëve të pafajshëm në Gaza, Liban, Iran dhe në të gjithë rajonin, si dhe duke marrë parasysh veprimet e dhunshme, gjenocidale dhe çnjerëzore të shtetit izraelit, nuk besoj se do të ishte moralisht e drejtë që klubi ynë të vazhdonte me ndonjë transaksion biznesi me një klub që përfaqëson Izraelin në këtë moment”, shkroi ai.
Haditaghi tha se përgjegjësitë e tij shkojnë përtej interesave financiare të klubit dhe përfshijnë mbrojtjen e “vlerave, parimeve dhe njerëzimit”.
“Sikur të kisha qenë gjallë gjatë kohës së Gjermanisë naziste, një prej kapitujve më të errët të historisë, nuk do të kisha bërë biznes me asnjë klub sportiv që përfaqësonte Gjermaninë naziste, një regjim përgjegjës për vrasje masive dhe krime kundër miliona njerëzve të pafajshëm”, shkroi ai.
“Sot më duhet të zbatoj të njëjtin standard moral. Ka momente kur etika duhet të jetë më e fortë se fitimi dhe paratë”, shtoi ai.
Ofertat kishin të bënin me lojtarët Keramitsis dhe Borges, kontratat e të cilëve me klubin Pogon Szczecin zgjasin, respektivisht deri në vitet 2029 dhe 2027.



