Kina përshëndet vizitën shtetërore të Trumpit, pret “respekt dhe barazi” në marrëdhënie për “stabilitetin” botëror

Kina ka deklaruar se vendi e përshëndet vizitën shtetërore të presidentit amerikan, Donald Trump, ndërsa ka shprehur pritje për “respekt dhe barazi” në marrëdhëniet dypalëshe për të sjellë “më shumë stabilitet dhe siguri në botë”, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Guo Jiakun, u tha gazetarëve se diplomacia në nivel krerësh shtetesh ka një “rol të pazëvendësueshëm” në ofrimin e udhëzimeve strategjike për marrëdhëniet Kinë-SHBA.
“Kina e përshëndet vizitën shtetërore të presidentit Trump në Kinë”, tha ai, duke shtuar se gjatë vizitës, Trump dhe presidenti kinez, Xi Jinping, “do të shkëmbejnë pikëpamje mbi çështje madhore që lidhen me marrëdhëniet Kinë-SHBA dhe paqen e zhvillimin botëror”.
“Të dyja palët do të veprojnë në frymën e respektit, barazisë dhe përfitimit të ndërsjellë dhe do të sjellin më shumë stabilitet dhe siguri për botën”, shtoi ai.
Kina pritet të presë Trumpin nga sot deri të premten në vizitën e parë të një presidenti amerikan në detyrë në gati nëntë vite, ku konflikti në Lindjen e Mesme, Tajvani, tregtia, tarifat dhe teknologjia e lartë do të jenë në krye të agjendës.
Teksa presidenti amerikan shoqërohet nga shumë drejtorë ekzekutivë kompanish, Zonja e Parë Melania Trump nuk do t’i bashkohet vizitës.
Më herët, Trump tha se kërkesa e tij “shumë e parë” ndaj presidentit kinez do të ishte “hapja” e Kinës për bizneset amerikane.
“Nuk kam parë apo dëgjuar kurrë për ndonjë ide që do të ishte më e dobishme për vendet tona të jashtëzakonshme”, theksoi ai.
