KE: BE po mobilizon ndihmë shtesë për të luftuar zjarret në Maqedoninë e Veriut

Pas kërkesës për ndihmë nga Maqedonia e Veriut, Gjermania dhe Suedia mobilizuan secila nga dy avionë nga flota e BE-së të destinuar për luftimin e zjarreve – RescEU, dhe kjo ndihmë u plotësua me një helikopter nga flota e stacionuar në Republikën Çeke dhe nga një helikopter nga Sllovenia dhe Serbia, u njoftua sot nga Komisioni Evropian.
“Në kuadër të luftës së vazhdueshme kundër zjarreve në pyje, ka reaguar menjëherë Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së. U jam mirënjohës vendeve anëtare që dërguan ndihma, ky është solidaritet i BE-së në praktikë”, tha komisioneri i BE-së për menaxhimin e krizave Janez Lenarçiq.
Përveç kësaj, një oficer ndërlidhës nga Qendra Koordinuese e Reagimit Emergjent të BE-së është vendosur në vend për të mbështetur autoritetet maqedonase në koordinimin e reagimit ndaj zjarreve.
Përveç Maqedonisë së Veriut, javën e kaluar u aktivizua edhe Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së për shuarjen e zjarreve në pyje në Bullgari dhe Shqipëri.
Dy avionë nga Greqia dhe Franca janë dërguar në Bullgari, si dhe dy avionë të tjerë nga flota RescEU në Suedi, ndërsa dy avionë nga flota e BE-së të stacionuar në Itali janë vendosur në Shqipëri.
“Qendra e Koordinimit të Reagimit Emergjent të BE-së vazhdon të monitorojë nga afër situatën, në mënyrë që ndihma shtesë të mund të vendoset shpejt nëse është e nevojshme”, thuhet në deklaratë.
Për të ndihmuar në përballimin e zjarreve të mundshme, Komisioni Evropian po krijon një flotë avionësh dhe helikopterësh për shuarjen e zjarrit në prag të verës dhe ka punësuar zjarrfikës të gatshëm për reagime emergjente, të cilët janë vendosur në disa lokacione në të gjithë Evropën.
Flota zjarrfikëse e BE-së përbëhet nga 28 avionë dhe katër helikopterë të stacionuar në 10 shtete anëtare të BE-së.
Për më tepër, 556 zjarrfikës nga 12 vende janë vendosur në mënyrë strategjike në vende kyçe në Evropë, në Francë, Greqi, Portugali dhe Spanjë, të gatshëm të përgjigjen për të ndihmuar njësitë lokale të zjarrfikësve në trajtimin e zjarreve.



