Kasami uron Kurtin për fitoren në Kosovë: Presim vazhdimin e bashkëpunimit me Qeverinë Kurti 3

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka përgëzuar Lëvizjen VETËVENDOSJE! për fitoren në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, duke e cilësuar atë si një fitore të jashtëzakonshme dhe dëshmi të pjekurisë demokratike të qytetarëve kosovarë.
Në një status të publikuar në rrjetet sociale, Kasami ka uruar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për rezultatin e arritur, si dhe ka vlerësuar organizimin e procesit zgjedhor në Kosovë.
“Fitore e jashtëzakonshme e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në zgjedhjet parlamentare në Kosovë. E uroj përzemërsisht mikun tim Albin Kurti për rezultatin, si dhe popullin dhe institucionet e Kosovës për vetëdijen e lartë qytetare dhe organizimin e përkryer të zgjedhjeve”, ka shkruar Kasami.
Ai ka shprehur gjithashtu pritshmëri që procesi i formimit të institucioneve të reja të zhvillohet pa vonesa dhe në përputhje me vullnetin e qytetarëve.
“Uroj që procesi i formimit të institucioneve të shkojë shpejt e mbarë, duke reflektuar vullnetin qytetar të shprehur sot”, thekson Kasami.
Në fund, kryetari i Tetovës ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin ndërshtetëror me qeverinë e re të Kosovës.
“Mezi pres ta vazhdojmë bashkëpunimin ndërshtetëror me Qeverinë Kurti 3”, përfundon ai.



