Jeta e fëmijëve në Gaza në rrezik për shkak të bllokadës izraelite

Fëmijët e sëmurë në Rripin e Gazës po luftojnë me jetën për shkak të vështirësive të shkaktuara nga bllokada e vendosur nga Izraeli.

Spitali “Patient Friends” në Rripin e Gazës, ku Izraeli ka mbyllur pikat e tij kufitare dhe ka penguar hyrjen e ndihmave, po përjeton vështirësi në gjetjen e karburantit të nevojshëm për funksionimin e gjeneratorëve elektrikë për shkak të bllokadës.

Ekipet e kujdesit shëndetësor po garojnë me kohën për të shpëtuar foshnjat e lindura para kohe që po luftojnë për të mbijetuar në një spital ku energjia elektrike është e kufizuar.

Fëmijët kanë mbetur pa trajtim dhe kujdesin më elementar në spital, ku mjetet mjekësore dhe barnat bazë janë të pakta, pothuajse inekzistente.

Drejtori i spitalit “Patient Friends”, mjeku Said Salah në një prononcim për Anadolu tha: “Mbyllja e pikave kufitare dhe pengimi i qarkullimit të karburanteve dhe furnizimeve mjekësore kërcënon jetën e pacientëve, veçanërisht të foshnjave të lindura para kohe që kanë nevojë për kujdes dhe temperaturë konstante. Është e pamundur të sigurohet kujdes për fëmijët pa energji elektrike”.

Ai tha se 5 fëmijë kanë vdekur për shkak të të ftohtit gjatë muajve të fundit. Salah thotë se kur fëmijët mbërritën në spital gjendja e tyre ishte kritike dhe se bënë përpjekje të mëdha por nuk mundën t’i shpëtonin sepse ishte tepër vonë.

Salah bëri thirrje për ndërhyrje urgjente dhe ushtrimin e presionit ndaj Izraelit për sigurimin e karburantit dhe furnizimeve mjekësore për spitalet në Rripin e Gazës që përballet me pasojat e gjenocidit 16-mujor të Izraelit.

– Reagimi ndaj bllokadës izraelite

Organizata “Mjekët pa Kufij” (MSF) përmes një deklarate u bën thirrje autoriteteve izraelite që të “ndalojnë përdorimin e ndihmës humanitare si një mjet lufte”.

“Autoritetet izraelite, duke ndërprerë furnizimet me energji elektrike të njerëzve dhe duke penguar hyrjen e ndihmave në Gaza, kanë instrumentalizuar nevojat humanitare duke përdorur nevojat humanitare si mjet negocimi në negociatat për armëpushim”, thotë MSF në deklaratën e saj në të cilën dënohet me forcë bllokada që Izraeli zbaton kundër Gazës, e cila i privon palestinezët nga shërbimet bazë dhe furnizimet kritike.

Ekipet e MSF-së mbërritën në Gaza për herë të fundit më 27 shkurt, ku ata dorëzuan tre kamionë me ndihma, kryesisht me furnizime mjekësore. Gjithashtu u rikujtua se para bllokadës, MSF ka bërë përpjekje për rritjen e aktiviteteve të saj, veçanërisht në veri të Gazës, ku njerëzit janë privuar nga nevojat e tyre themelore për muaj të tërë.

Ndërprerje e energjisë elektrike si dhe pengesa për hyrjen e karburantit për gjeneratorët nga Izraeli, po përkeqëson katastrofën humanitare që po përjetojnë afro 2 milionë banorë të Gazës.

Vendimi i Izraelit për të ndërprerë ndihmën dhe furnizimin me energji elektrike

Pas përfundimit të fazës së parë 42-ditore të marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve me Hamasin, Izraeli vendosi të ndalojë hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës që nga 2 marsi.

Ministri izraelit i Energjisë, Eli Cohen njoftoi më 9 mars se ata kishin vendosur të ndërpresin menjëherë furnizimin me energji elektrike në Rripin e Gazës.

Më shumë se 61 mijë palestinezë janë vrarë, përfshirë 14 mijë të zhdukur nën rrënoja dhe 2 milionë njerëz u zhvendosën në sulmet që Izraeli kreu në Gaza që nga 7 tetori 2023 e deri më 19 janar kur u shpall armëpushimi.

Në sulmet në të cilat u shënjestruan gjithashtu spitalet, shtëpitë dhe shkollat ​​ku u strehuan palestinezët e zhvendosur, u shkatërrua 88 për qind e infrastrukturës në Rripin e Gazës.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button