Izraeli vazhdon shembjet dhe rrethimin në Bregun Perëndimor

Forcat izraelite kanë vazhduar fushatën e tyre ushtarake në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke shënjestruar qytetin e Tulkarmit dhe kampet e tij të refugjatëve për një ditë tjetër me radhë.
Sipas agjencisë palestineze të lajmeve Wafa, prania e ushtrisë izraelite në qytetin e Tulkarmit ka hyrë në ditën e 138-të radhazi, ndërsa operacionet në kampin fqinj të Nour Shams kanë hyrë në ditën e 125-të.
Banesat vazhdojnë të shemben si pjesë e asaj që vendasit e përshkruajnë si një plan i gjerë prishjeje.
Buldozerët kanë vazhduar të rrafshojnë ndërtesa banimi në kampin qendror të Tulkarmit për të tëtën ditë me radhë. Fushata, sipas raportimeve, synon të shembë 106 ndërtesa në të dy kampet, Tulkarm dhe Nour Shams. Prej tyre, 58 ndodhen vetëm në Tulkarm, veçanërisht në lagjet Balawneh, Al-Akasha dhe Al-Nadi — kjo e fundit strehon mbi 250 banesa dhe dhjetëra biznese.
Ndërkohë, një rrethim i rreptë ushtarak vazhdon të jetë në fuqi rreth të dy kampeve. Njësitë e këmbësorisë kanë zënë pozicione në rrugicat, hyrjet dhe zonat e banuara, duke ua pamundësuar banorëve kthimin në shtëpitë e tyre apo shpëtimin e pasurisë së mbetur.