Izraeli shënjestron selinë e Ministrisë së Mbrojtjes së Iranit në Teheran

Sulmet ajrore izraelite kanë shënjestruar selinë e Ministrisë së Mbrojtjes së Iranit në kryeqytetin Teheran, transmeton Anadolu.
Agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Tasnim raportoi se sulmet izraelite shënjestruan Ministrinë e Mbrojtjes dhe selinë e Logjistikës së Forcave të Armatosura në zonën Nobonyad, duke shkaktuar dëme të lehta në një ndërtesë administrative.
Gjithashtu raportohet se shpërthime të fuqishme u dëgjuan në perëndim të kryeqytetit Teheran dhe sipas pamjeve në mediat sociale një zjarr i madh shpërtheu në zonë pas sulmit. Një depo nafte gjithashtu u godit në lagjen Shehran të kryeqytetit.
Ushtria izraelite, nga ana e saj, tha se forcat ajrore kryen një “seri të gjerë sulmesh” në kryeqytetin Teheran në lidhje me “projektin e armëve bërthamore” të Iranit.
Ushtria në platformën sociale X tha se forcat izraelite shënjestruan “selinë e Ministrisë së Mbrojtjes së Iranit, selinë e projektit bërthamor SPND”, së bashku me objektiva të tjerë.
Forcat izraelite gjithashtu goditën Organizatën e Inovacionit dhe Kërkimit Mbrojtës gjatë sulmeve të ndara në të njëjtën zonë.
Në orët e para të së premtes, forcat izraelite shënjestruan Iranin, duke goditur objekte bërthamore dhe raketore dhe duke vrarë komandantë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë. Irani u përgjigj me raketa balistike që shënjestruan disa zona në të gjithë Izraelin, duke vrarë dhe plagosur izraelitë, si dhe duke dëmtuar ndërtesa.