Izraeli mirëpret rezolutën e OKB-së për Gazën, opozita e quan “keqmenaxhim” nga qeveria e Netanyahut

Izraeli mirëpriti miratimin nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së të një rezolute të hartuar nga SHBA-ja, ndërsa u ngritën kritika nga opozita, transmeton Anadolu.
“Shteti i Izraelit dhe Kryeministri (Benjamin) Netanyahu duartrokasin Presidentin (e SHBA-së) Donald Trump dhe ekipin e tij të palodhur dhe të përkushtuar”, thuhet në një deklaratë nga zyra e kryeministrit izraelit përmes platformës sociale të kompanisë amerikane X.
“Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mbështet plotësisht Planin 20-Pikësh të Presidentit Trump dhe emërimin e Bordit të Paqes që do të drejtohet nga Presidenti Trump”, shtoi deklarata.
Deklarata vuri në dukje se Tel Avivi aspiron që rezoluta, “besnike ndaj vizionit të Presidentit Trump, … të çojë në integrimin e mëtejshëm të Izraelit dhe fqinjëve të tij, si dhe në zgjerimin e Marrëveshjeve të Abrahamit”.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi të hënën me shumicë votash një rezolutë të hartuar nga SHBA-ja, me 13 anëtarë pro dhe Rusinë dhe Kinën që abstenuan.
Rezoluta përcakton formimin e Bordit të Paqes dhe autorizimin e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit deri më 31 dhjetor 2027, për të mbikëqyrur qeverisjen, rindërtimin dhe përpjekjet e sigurisë në Rripin e Gazës.
Ndërkohë, Avigdor Lieberman, udhëheqësi i partisë së krahut të djathtë Yisrael Beiteinu, e konsideroi rezolutën si një “keqmenaxhim nga qeveria izraelite dhe një lëshim për sigurinë e Izraelit”.
“Ne kemi humbur kontrollin mbi vendin. Forcat ndërkombëtare në territorin sovran të Shtetit të Izraelit, një sindikatë që na ka zhveshur nga aftësia jonë për të mbrojtur veten dhe i ka prangosur të gjitha duart IDF-së (ushtrisë izraelite) – ky është një kthim në periudhën e Mandatit”, tha Lieberman.
“Lindja e Mesme po ndryshon, dhe jo në favorin tonë”, shtoi ai.
Drafti i SHBA-së erdhi si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi dhe shkëmbimi pengjesh midis Izraelit dhe Hamasit që hyri në fuqi në Rripin e Gazës më 10 tetor bazuar në një plan 20-pikësh të paraqitur nga Trump.
Faza e parë e marrëveshjes së armëpushimit përfshin lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë. Plani parashikon gjithashtu rindërtimin e Gazës dhe krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës pa grupin palestinez Hamas.
Që nga tetori i vitit 2023, gati 69.500 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe mbi 170.700 të tjerë janë plagosur në luftën gjenocidale të Izraelit që e shkatërroi enklavën.



