ITSHKSH përkujton Srebrenicën në 29-vjetorin e gjenocidit
Duke e marrë shkas miratimin e Rezolutës për Përkujtimin e Gjenocidit në Srebrenicë, që më 23 maj të këtij viti u votua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, ITSHKSH e shënoi këtë përvjetor të 29-të me një mbledhje përkujtimore kushtuar viktimave të këtij gjenocidi më 1995. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin përfaqësues të korit diplomatik, hulumtues dhe aktivistë të jetës civile, ndërkaq folës ishin: dr. Skender Asani – drejtor i ITSHKSH-së, Atdhe Hetemi – drejtor i Institutit të Krimeve të Luftës në Kosovë, Dr. Zeqirija Ibrahimi – këshilltar shkencor në ITSHKSH dhe akademik Ferid Muhiq, filozof boshnjak.
Në fjalimin e tij drejtori Asani e cilësoi rezolutën si një hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së nevojës për një trajtim të duhur juridik dhe etik të ngjarjeve në Srebrenicë. “Duke kujtuar Srebrenicën, ne kujtojmë çdo viktimë që padrejtësisht i ka vuajtur pasojat e diskriminimit dhe krimit shtetëror, duke filluar që nga Holokausti e deri në luftën e fundit në Kosovë. Popujt në Ballkan kanë nevojë për paqe dhe për pajtim, kurse ngjarjet e hidhura të së kaluarës mund të shërbejnë vetëm si tregues se nga nuk duhet të orientohet e ardhmja e jonë”, u shpreh ai.
Z. Hetemi theksoi rolin e qenësishëm të Institutit në ruajtjen e së vërtetës historike dhe promovimit të paqes së qëndrueshme, nëpërmjet hulumtimeve të sakta dhe bashkëpunimit kombëtar dhe rajonal. Mes tjerash, ai tha: “Në këtë ditë reflektimi dhe kujtimi, le të ripërtërijmë angazhimin tonë për të vërtetën, drejtësinë dhe ndërtimin e paqes së qëndrueshme. Së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme ku tmerret e së kaluarës nuk harrohen, por shërbejnë për të ndërtuar një të nesërme më të mirë.”
Ndërkaq Dr. Zeqirija Ibrahimi, edhe si pjesëmarrës në “Marsh Mira” (Marshi i Paqes) në Bosnjë në vitin 2023, një udhëtim treditor ku marrin pjesë mbi 5000 njerëz, vlerësoi se “Srebrenica nuk duhet parë si një ngjarje e shkëputur në histori, sepse ajo është vetëm një rruazë në vargun e përgjithshëm të gjenocidit, siç është edhe eksodi i shqiptarëve të Kosovës më 1999, masakrat si ajo e Mejës, Reçakut dhe Prekazit. Ajo është rezultat i një stereotipi përbuzës dhe përçmues të ushqyer kundër një race tjetër.
Për të kurorëzuar këtë ngjarje, filozofi i mirënjohur Muhiq, edhe si përfaqësues i komunitetit boshnjak, bëri një zbërthim shumëpalësh të konceptit të gjenocidit, por edhe të vetë ngjarjes makabre në Srebrenicë, duke theksuar nevojën për të pasur kujdes me eufemizmat që priren të përdoren në interpretimin e kësaj ngjarjeje. “Rezoluta e miratuar është dokument kyç i një rëndësie të jashtëzakonshme, që do të shërbejë si precedent për të gjitha shtetet e tjera të botës.”
Shënimi i përvjetorit të Srebrenicës për ITSHKSH do të jetë një ngjarje e përvjetshme.