Itali, shpërthen përsëri llavë dhe hi nga vullkani Etna

Etna, një nga vullkanet aktive në jug të Italisë, ka shpërthyer sërish hi dhe llavë, transmeton Anadolu.

Mbrëmë, aktivitetit vullkanik të vëzhguar javët e fundit në malin Etna, i cili është i lartë afërsisht 3300 metra në ishullin e Siçilisë, iu shtua një aktivitet i ri vullkanik.

Sipas deklaratës së bërë nga Stacioni i Vëzhgimit Etna i Institutit Kombëtar Italian të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV), vullkani filloi të lëshonte hi dhe llavë mbrëmjen e djeshme dhe ndaloi këtë aktivitet në mesnatë.

Voragine, një nga krateret aktive të vullkanit së fundmi, shpërtheu hi dhe llavë. Hiri i hedhur nga vullkani arriti një lartësi prej rreth 9.5 kilometra.

Në lajmet në shtypin vendas thuhet se hiri i hedhur nga Etna ka rënë në vendbanimet rrëzë vullkanit dhe se në disa vendbanime po vazhdojnë përpjekjet për pastrimin e hirit.

– Etna pengesë për fluturimet

Shpërthimi intensiv i hirit të Etnas ndikoi gjithashtu negativisht në transportin ajror.

Në deklaratën me shkrim të aeroportit Catania Fontanarossa, i cili ndodhet afër vullkanit, thuhet se aeroporti ka qenë i mbyllur për fluturime deri në orën 18:00 me orën lokale për shkak të shpërthimeve vullkanike në Etna.

Në deklaratë thuhet se pista u bë e papërdorshme për shkak të një sasie të konsiderueshme hiri që binte në aeroport dhe për këtë arsye u pezulluan uljet dhe ngritjet.

Fluturimet që mbërrinin në Catania u drejtuan në Palermo, një nga aeroportet më të afërt me rajonin.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button