Irani publikon 10 kushtet që thotë se i ka pranuar SHBA-ja për armëpushim

Irani ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara kanë pranuar një sërë kushtesh në kuadër të marrëveshjes për ndaljen e përshkallëzimit të konfliktit, duke përfshirë çështje të sigurisë, sanksioneve dhe pranisë ushtarake në rajon. Sipas deklarimit të publikuar nga pala iraniane, marrëveshja përfshin dhjetë pika kryesore.
Së pari, SHBA-ja angazhohet për mos-agresion ndaj Iranit, duke u zotuar se nuk do të ndërmarrë veprime ushtarake kundër vendit.
Së dyti, pranohet vazhdimi i kontrollit të Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin e naftës në botë.
Së treti, SHBA-ja thuhet se pranon të drejtën e Iranit për pasurimin e uraniumit, çështje që ka qenë prej vitesh në qendër të tensioneve për programin bërthamor iranian.
Së katërti, marrëveshja parashikon heqjen e të gjitha sanksioneve primare të vendosura nga Shtetet e Bashkuara ndaj Iranit.
Së pesti, sipas deklarimit iranian, do të realizohet edhe heqja e të gjitha sanksioneve sekondare, që prekin kompani dhe shtete të treta që bashkëpunojnë me Iranin.
Së gjashti, SHBA-ja pranon shfuqizimin e të gjitha rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që lidhen me Iranin.
Së shtati, parashihet edhe shfuqizimi i të gjitha rezolutave të Bordit të Guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA).
Së teti, Irani thotë se marrëveshja përfshin edhe pagesën e kompensimit ndaj Iranit për dëmet e shkaktuara nga konfliktet dhe sanksionet.
Së nënti, SHBA-ja do të tërheqë forcat e saj luftarake nga rajoni, duke reduktuar praninë ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.
Së dhjeti, marrëveshja përfshin ndalimin e luftës në të gjitha frontet, përfshirë edhe ndalimin e operacioneve kundër Hezbollahut në Liban.
Këto pika janë bërë publike nga Irani si pjesë e kushteve të pranuara nga SHBA-ja, ndërsa nuk ka ende një konfirmim të pavarur nga pala amerikane për të gjitha detajet e përmendura.



