Ibrahimi prezanton kandidatin për kryetar të Studeniçanit: Çlirimi i komunave po vjen

Njëri nga liderët e VLEN-it dhe kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, ka prezantuar sot kandidatin e koalicionit për kryetar të Komunës së Studeniçanit, Sedat Bislimin.
“Ai është një kuadër me përvojë të pasur dhe profesionalizëm të dëshmuar në fusha të ndryshme, një njeri që ka treguar përkushtim, integritet dhe aftësi drejtuese në çdo angazhim të mëparshëm”, u shpreh Ibrahimi.
Sipas tij, zgjedhja e Bislimit është rezultat i një procesi të kujdesshëm ku, siç theksoi, “përparësi i është dhënë vlerës, përgatitjes dhe vizionit për të ardhmen”.
Duke folur për sfidat dhe pritshmëritë, Ibrahimi tha se Studeniçani ka nevojë për “ndryshim të vërtetë, zhvillim të qëndrueshëm dhe udhëheqës që i përfaqësojnë me dinjitet dhe efikasitet interesat e qytetarëve”.
Ai kujtoi se ndryshimi ka nisur më 8 maj në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, kur “qytetarët treguan se duan një të ardhme ndryshe”.
“Tani, me të njëjtin vrull dhe vendosmëri, është koha që ndryshimi të vijë edhe në nivel lokal, në komunat tona. Çlirimi i komunave po vjen. Dhe ai do të vijë përmes njerëzve që kanë vullnet, dije dhe vlera për të shërbyer me nder dhe për të ndërtuar të ardhmen që e meritojmë të gjithë,” përfundoi Ibrahimi.