Hegseth: Irani ka motivim të lartë për të ruajtur armëpushimin, forcat amerikane mbeten të pozicionuara

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth ka deklaruar se “motivimi” i Iranit për të ruajtur armëpushimin është “shumë i lartë”, duke paralajmëruar njëkohësisht se forcat amerikane mbeten “maksimalisht të pozicionuara” për të rifilluar luftën nëse Teherani refuzon një marrëveshje, transmeton Anadolu.
“Forcat tona janë maksimalisht të pozicionuara për të rifilluar operacionet luftarake, nëse ky regjim i ri iranian zgjedh gabim dhe nuk pranon një marrëveshje”, tha Hegseth gjatë një konference në Pentagon.
Ai i bëri thirrje Iranit të “zgjedhë me mençuri”, duke paralajmëruar udhëheqjen ushtarake të vendit se Washingtoni po “monitoron nga afër” veprimet e tyre.
Hegseth tha se kapacitetet e komandimit dhe kontrollit të Iranit janë “shumë të dobësuara”, duke kufizuar aftësinë e tij për të koordinuar operacionet, por theksoi se “motivimi i tij për të qëndruar në armëpushim është shumë i lartë”.
“Ata e kuptojnë se shkelja e këtij armëpushimi do të thotë fillimi i operacioneve”, shtoi ai.
Sekretari amerikan tha se Marina e SHBA-së kontrollon trafikun hyrës dhe dalës në Ngushticën e Hormuzit, duke zbatuar një bllokadë me “më pak se 10 për qind” të fuqisë detare amerikane.
Ndërkohë, kryetari i Shefave të Përbashkët të Shtabit, Dan Caine tha se bllokada zbatohet për të gjitha anijet që shkojnë drejt ose vijnë nga portet iraniane, pavarësisht kombësisë, por theksoi se ajo nuk përbën një bllokadë të vetë Ngushticës së Hormuzit.
Deklaratat vijnë në një kohë kur SHBA-ja dhe Irani po zhvillojnë negociata për zgjatjen e një armëpushimi dyjavor të shpallur javën e kaluar, i cili pritet të skadojë më 22 prill.



