Grupi i ri i palestinezëve të liruar nga Izraeli arrin në Gaza

Grup i ri i të burgosurve palestinezë të liruar nga Izraeli mbërriti në Rripin e Gazës, në bazë të marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve, raporton Anadolu.
Të burgosurit e liruar, duke përfshirë gra dhe fëmijë, u transferuan nga Kryqi i Kuq në Gaza përmes kalimit Kerem Shalom (Karam Abu Salem) që ndodhet në pjesën jugore të Rripit të Gazës, në lindje të qytetit Rafah.
Ata më vonë u transportuan në Spitalin Evropian në qytetin Khan Younis për kontrolle mjekësore.
Izraeli liroi 596 të burgosur palestinezë brenda natës pasi grupi palestinez i rezistencës, Hamas, dorëzoi kufomat e katër robërve izraelitë në bazë të marrëveshjes.
Marrëveshja ka qenë në fuqi që nga muaji i kaluar, duke ndalur luftën shkatërruese të Izraelit në Gaza që ka vrarë më shumë se 48.360 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe e ka lënë enklavën në gërmadha.
Deri më tani, 25 robër izraelitë dhe tetë trupa janë kthyer në këmbim të mbi 1.100 të burgosurve palestinezë, sipas fazës së parë të marrëveshjes së Gazës.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me padi opër gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.



