Gjykata Supreme e SHBA-së mbështet politikat e Trump, i hap rrugën deportimeve masive të emigrantëve

Gjykata Supreme e SHBA-së, e dominuar nga gjyqtarët konservatorë, ka vendosur në favor të politikës së administratës Trump për deportimet masive të emigrantëve, duke i lejuar qeverisë të revokojë mbrojtjen për rreth 350 mijë haitianë dhe 6 mijë sirianë.
Me një vendim 6-3, Gjykata vendosi se ligji nuk u jep gjykatave kompetencën për të rishikuar vendimet ekzekutive që lidhen me Statusin e Përkohshëm të Mbrojtur (TPS). Ky vendim mund të prekë më shumë se 1 milion persona.
TPS, i cili mbron përfituesit nga deportimi dhe u jep të drejtën për të punuar në Shtetet e Bashkuara, u akordohet përkohësisht emigrantëve, siguria e të cilëve rrezikohet në vendet e tyre të origjinës për shkak të luftërave, fatkeqësive natyrore apo kushteve të tjera emergjente.
Ish-sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, e cila u zëvendësua në mars nga Markwayne Mullin, revokoi TPS-në për rreth 15 kombësi, çka do të thotë se të paktën 1 milion persona mund të përballen me deportim. Megjithatë, vendimet përfundimtare për apelimet e tjera gjyqësore ende nuk janë dhënë.
Ky status ishte në fuqi për haitianët dhe sirianët deri më sot, kur Gjykata Supreme mori vendimin përkatës.
“Gjykatat e shkallës së parë tejkaluan autoritetin e tyre kur shqyrtuan vlefshmërinë ligjore të vendimeve të qeverisë”, shkroi gjyqtari konservator Samuel Alito në opinionin e shumicës. Ai hodhi poshtë gjithashtu argumentin e avokatëve të komunitetit haitian se revokimi i TPS-së ishte i motivuar nga “armiqësia racore e presidentit ndaj emigrantëve jo të bardhë”.
“Asnjë nga deklaratat e bëra nga presidenti apo sekretari i Sigurisë Kombëtare nuk ishte haptazi raciste”, theksoi Alito.
Kur gjykata dëgjoi argumentet e palëve në muajin prill, debati u përqendrua te deklaratat përçmuese të Presidentit Donald Trump për përfituesit e programit, të cilët ai kishte thënë se vinin nga vende “të ndyra”.
Këshilltari ligjor i administratës, John Sauer, argumentoi se deklarata e Trump i referohej “problemeve të krimit, varfërisë dhe varësisë nga ndihma sociale” dhe se ishte nxjerrë nga konteksti nga mediat. Ai shtoi se ligji nuk parashikon “asnjë shqyrtim gjyqësor” të vendimeve të Departamentit të Sigurisë Kombëtare mbi kualifikimin për TPS.
“Nëse qeveria e interpreton ligjin si një çek të bardhë, atëherë çështja bëhet deportimi masiv i njerëzve që nuk kanë bërë asgjë të keqe drejt vendeve që mbeten të rrezikshme”, deklaroi Achilan Arulananthan, avokat i emigrantëve sirianë. Ai vuri në dukje se Departamenti amerikan i Shtetit rekomandon që qytetarët amerikanë që udhëtojnë drejt Sirisë të lënë një mostër ADN-je dhe të përgatisin testamentin para nisjes.
Përveç haitianëve dhe sirianëve, vendimi i Gjykatës Supreme rrezikon të drejtat e më shumë se 1 milion emigrantëve nga 17 vende, të cilët deri vonë përfitonin nga programi TPS, sipas organizatës joqeveritare Global Refuge.



