Gjykata në Hagë: Serbia nuk po u përgjigjet kërkesave për rastin ndaj Sheshelit

Mekanizmi Ndërkombëtar për Tribunalin Penal (IRMCT) i Kombeve të Bashkuara ka ngritur shqetësime për mungesë bashkëpunimi nga institucionet e Serbisë në lidhje me një rast gjyqësor që lidhet me Vojislav Sheshelin dhe disa bashkëpunëtorë të tij.
Në raportin e dhjetë të monitorimit, të publikuar më 21 maj 2026, theksohet se autoritetet serbe prej muajsh nuk u janë përgjigjur kërkesave zyrtare të monitorueses së rastit, Dagmara Albrecht, lidhur me statusin e procedurës.
Sipas IRMCT-së, çështja i është transferuar Serbisë për ndjekje penale në vitin 2024, por procesi nuk ka avancuar për shkak të mungesës së një “mendimi paraprak” nga Ministria e Drejtësisë e Serbisë, shkruan klix.ba.
Rasti përfshin Vojislav Sheshelin , Miljan Damjanoviq, Miroljub Ignjatoviq, Ljiljana Mihajloviq dhe Ognjen Mihajloviq, të cilët akuzohen për mosrespektim të gjykatës, përfshirë publikimin e informacionit konfidencial dhe identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur në proceset e Tribunalit të Hagës.
Në raport thuhet se monitoruesja ka dërguar disa kërkesa zyrtare me email Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë dhe Prokurorisë për Krime Lufte, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Po ashtu, ajo kujton se gjatë një takimi në nëntor 2025, autoritetet serbe kishin premtuar dorëzimin e informacionit, por kjo nuk ka ndodhur.
Për shkak të mungesës së bashkëpunimit institucional, IRMCT njofton se po planifikohet një vizitë e re monitoruese në Beograd, me qëllim diskutimin e ngërçit dhe statusit të rastit.
Sipas Mekanizmit, çështja mbetet e bllokuar që nga fundi i vitit 2024, ndërsa vazhdon të pritet vendimi paraprak i autoriteteve serbe për të mundësuar nisjen e procedurës gjyqësore.
IRMCT thekson se monitorimi do të vazhdojë deri në zhbllokimin e procesit dhe sigurimin e një ndjekjeje efektive të rastit në nivel nacional.



