Gjykata konfirmon se e ka pranuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për të urdhëruar Kurtin të paraqitet në prokurori

Gjykata në Prishtinë e ka pranuar kërkesën e Prokurorisë Speciale që kryeministri i Kurti të paraqitet në prokurori për të dhënë dëshminë në cilësinë e dëshmitarit lidhur me rastin e rezervave shtetërore.
Lajmin për Gazeta10 e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Konfirmojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka pranuar kërkesën në fjalë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e njëjta është duke u shqyrtuar nga gjykata”, tha Gashi.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka dorëzuar në Gjykatë kërkesën që kryeministri i vendit, Albin Kurti, të paraqitet në PSRK për të dhënë dëshminë në cilësinë e dëshmitarit lidhur me rastin e rezervave shtetërore.
Nëse Gjykata e aprovon këtë kërkesë të PSRK-së, dëshmitari Albin Kurti duhet të paraqitet vullnetarisht për dhënie të dëshmisë.
Në të kundërtën, sipas ligjit, atij i shqiptohet gjobë e pas kësaj kryeministri edhe mund të paraburgoset.
Me t’u lëshuar ky urdhër, Kurti duhet të paraqitet vullnetarisht në objektet e PSRK-së, por nëse nuk vepron ashtu siç kërkohet, urdhri i Gjykatës i dorëzohet edhe Policisë, e cila më pas duhet ta ekzekutojë urdhrin për ta sjellë atë për të dhënë dëshminë.
Rikujtojmë se kryeministri i vendit është ftuar si dëshmitar nga Prokuroria që të japë versionin e tij lidhur me rastin e rezervave shtetërore për të cilin të dyshuar janë afaristi Ridvan Muharremi dhe zyrtarët e Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara. /Gazeta10/



