Gjuha, përfaqësimi dhe kazinotë! Ja çfarë diskutuan sot deputetët shqiptarë
Temat etnike si gjuha shqipe dhe përfaqësimi i drejtë dhe adekuat nëpër institucione zuri vend të veçantë në seancën plenare të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, e cila ishte paraparë për pyetje deputetësh. Deputetja e Frontit Europian, Rina Ajdari kërkoi nga zv/kryeministri Izet Mexhiti të sqarojë mendimin e tij në lidhje me zyrtarizmin e gjuhës shqipe, duke ia përkujtuar një status të tij në Facebook të shkruar gjashtë vite më parë.
“Një arritje e madhe, një arritje e merituar, gjuha shqipe zyrtare. Besoj se këto janë fjalët e juaja, të shkruara me duart tuaja, publikisht të thëna në profilin tuaj zyrtarë në facebook. Besoj se ju kujtohet edhe pse ka më shumë se gjashtë vite që e keni thënë këtë. Me ju atëbotë është pajtuar edhe partneri tjetër i koalicionit, ArbenTaravari”, tha deputetja Ajdari, duke kërkuar nga Mexhiti të prononcohet se kur e ka thënë Mexhiti të vërtetën, atëherë kur ka deklaruar se gjuha shqipe është zyrtare, ose qëndrimi i tij i fundit se pajtohet me deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se, gjuha shqipe nuk është, as nuk ka qenë në të kaluarën gjuhë zyrtare në Maqedoni të Veriut.
Mexhiti, duke iu përgjigjur kësaj pyetje, tha se ka dallim mes avancimit të gjuhës shqipe dhe zyrtarizmit të plotë të saj. “Askush nuk ka thënë se nuk ka avancim të përdorimit zyrtarë të gjuhës shqipe. Deklarata e z. Kurti të cilin e mbështesë edhe unë, është se në Maqedoni të Veriut, nuk ka Ligj për përdorim të gjuhës shqipe. Aludimi ishte se serbet në Kosovë janë 4% dhe gëzojnë të drejtën e gjuhës zyrtare serbe në gjithë territorin e Kosovës, kurse gjuha shqipe përdoret nëpërmjet Ligjit për përdorimit të gjuhëve, që po ashtu apostrofohet për bashkësinë e cila është mbi 20%, deri në momentin që do të jetë mbi 20%. Çka nëse nuk janë 20%, ia lëmë fatit?”, u përgjigj Mexhiti.
Më tej, deputetja Ajdari kërkoi përgjigje nga zv/kryeministri Mexhiti në lidhje me kazinotë dhe lojërat e fatit.
“Më 2 gusht keni thënë do ti mbyllim lojërat e fatit, disa muaj pas ne jemi dëshmitarë se nuk është mbyllur asnjë kazino, por vetëm po hapen të reja. A jeni të gatshëm të kthejmë në Parlament propozim-ligjin për mbylljen e kazinove dhe bastoreve, nëse jo të gjithë, atëherë ti largojmë nga objektet shkollore”.
Ndaj kësaj, Mexhiti u përgjigj se fajtor për gjendjen me kazino dhe lojëra të fatit është qeveria e kaluar, duke thënës e kjo qeveri po përgatit një ligj për mbyllje të kazinove dhe lojërave të fatit.
“Mendoj se edhe zogjtë nëpër male e dinë se kush e ka bërë që në çdo lagje të Maqedonisë së Veriut të lulëzojë biznesi i kazinove dhe lojërave të fatit. Ju sot mua më akuzoni se nuk po mbyll kazinotë që i keni hapur ju në çdo lagje të vendit. Kjo qeveri ka shpallur luftë ndaj këtij biznesi dhe deri në fundvit, do të miratohet Ligj i ri për lojërat e fatit, i cili do të jetë shumë më strikt dhe do të përmirësojë atë që e keni bërë ju”, tha kryeministri Mexhiti.
Edhe Ligji i paralajmëruar nga qeveria për përfaqësim të drejtë dhe adekuat morri vëmendje në këtë seancë, ku sërish deputetja e Frontit Europian, Rina Ajdari i kërkoi nga ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari në lidhje me atë se deri ku është Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
Taravari me përgjigje se Ligji është duke u punuar nga grupet e punës, por pa precizuar afate se kur do të miratohet i njëjti. “Sa i përket Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, ju kur jeni në opozitë silleni si japonezë, kurse kur jeni në Qeveri – vononi gjërat si autostrada Shkup-Bllacë. Ju nuk jeni vonuar me javë, por jeni vonuar me dekada. Edhe kryeministri tha se grupet e punës janë formuar dhe në proces është implementimi i Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Ekspertët po punojnë dhe është mbajtur takimi i tretë, ndoshta jemi vonuar një muaj apo dy, por jo sa ju që vonoheshit me vite”, theksoi në përgjigjen e tij ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari. (koha.mk)