Bekim Sali nderon veteranët e arsimit shqip: Sakrificat e tyre ndërtuan të ardhmen e brezave

Në prag të 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në Shkup është organizuar një ceremoni kushtuar veteranëve të arsimit shqip, të cilët për dekada me radhë kontribuuan në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe dhe edukimin e gjeneratave të reja.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, i cili ndau mirënjohje për veteranët e arsimit nga Likova deri në Strugë, duke vlerësuar kontributin dhe sakrificën e tyre shumëvjeçare në shërbim të arsimit shqip.
Sali theksoi se 22 Nëntori nuk përfaqëson vetëm një datë në kalendar, por është një ditë që rikujton historinë e përpjekjeve, sakrificave dhe vendosmërisë për ruajtjen e gjuhës shqipe.
“Kongresi i Manastirit na mësoi se bashkimi rreth gjuhës dhe dijes është themeli i përparimit të një kombi”, u shpreh Sali.
Ai vuri në pah se pas historisë së arsimit shqip qëndrojnë njerëz të zakonshëm, por me sakrifica të jashtëzakonshme, mësues që punuan në kushte të vështira, dhanë më shumë sesa kishin dhe nuk u dorëzuan përballë sfidave.
Sipas tij, përkushtimi i këtyre mësuesve ka qenë vendimtar në edukimin dhe formimin e shumë brezave, ndërsa mirënjohja ndaj tyre nuk duhet të kufizohet vetëm në ceremoni dhe fjalë simbolike.
“Mirënjohja jonë ndaj tyre nuk duhet të mbetet vetëm në fjalë apo në një ceremoni festive. Ajo duhet të jetë respekt i përhershëm për punën dhe sakrificën e tyre”, theksoi zëvendëskryeministri i parë.
Në fund, Sali nënvizoi rëndësinë e respektimit të figurës së mësuesit, duke theksuar se nderimi i tyre është njëkohësisht nderim për historinë dhe investim në të ardhmen e kombit.
“Sepse një popull që nderon mësuesit e vet, nderon historinë dhe ndërton të ardhmen e tij”, përfundoi Sali.



