Gjorgjievski: Nisim aksion të madh kundër objekteve të ndërtuara pa leje në Shkup

Kryetari i Shkup, Orce Gjorgjievski, ka njoftuar nisjen e një aksioni të gjerë institucional për largimin e objekteve të ndërtuara pa leje dhe çlirimin e hapësirave publike të uzurpuara në territorin e qytetit.

Në njoftimin e tij publik, Gjorgjievski theksoi se institucionet nuk do të tregojnë asnjë tolerancë ndaj shkeljeve që cenojnë interesin publik.

“Nuk ka tolerancë kur uzurpimi i hapësirës publike është në pyetje. Kemi nisur një aksion të madh për pastrimin e objekteve të ndërtuara pa leje dhe nuk do të ketë asnjë lëshim”, deklaroi ai.

Sipas kryetarit të Shkupit, hapësirat publike u përkasin qytetarëve dhe nuk mund të shfrytëzohen për interesa personale.

“Hapësirat publike janë të qytetarëve. Trotuaret, shtegujt për këmbësorë dhe hapësirat publike nuk guxojnë të jenë peng i interesave personale të askujt”, theksoi Gjorgjievski.

Ai paralajmëroi se nuk do të ketë më kompromise për uzurpime që rrezikojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

“Nuk ka më kompromis kur bëhet fjalë për uzurpime që e prishin jetën e përditshme, lëvizjen dhe sigurinë e bashkëqytetarëve tanë”, tha ai.

Gjorgjievski bëri të ditur se aksioni do të vazhdojë me intensitet të lartë dhe do të shtrihet në të gjithë qytetin.

“Aksioni vazhdon me ritëm të fuqishëm dhe do të përfshijë të gjithë territorin e Shkupit. Ky është një proces në të cilin të gjithë jemi partnerë”, deklaroi ai.

Në fund, kryetari i Shkupit u bëri thirrje qytetarëve që të përfshihen aktivisht dhe të raportojnë uzurpimet e hapësirave të përbashkëta.

“I ftoj qytetarët të raportojnë objektet që zënë hapësirën e përbashkët dhe të kontribuojnë në ndërtimin e një qyteti ku mbizotërojnë rregulli, dinjiteti dhe qasja e barabartë për të gjithë. Së bashku po ndërtojmë qytetin që e meritojmë”, përfundoi Gjorgjievski.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button