Gjenocidi si fenomen historik dhe mbarëbotëror

“Shkatërrimi i popujve në bazë të identitetit grupor shtrihet në parahistorinë mitike.” Adam Jones
Shkruan: Muhamed JASHARI, Shkup
Gjenocidi, në kuptim të zhdukjes fizike të një etnie (tërësisht) ose pjesë të caktuar të tij, ishte i pranishëm në veprimet ndërnjerëzore përgjatë historisë edhe para se t’i vihej emri në vitin 1944 nga avokati polak Raphäel Lemkin. A nuk përbënin akte të gjenocidit dëbimet dhe masakrat ndaj popullsisë shqiptare të kryera nga Serbia dhe pushteti serb në fund të shek. XIX dhe shek. XX (mbi këtë temë shih në: Pllana; Ramadani & Lita 2024)!? Pikërisht, mu ashtu siç do ta definojë Konventa e OKB-së gjenocidin më vitin 1948 (Neni II) se: “…gjenocid nënkupton cilindo nga aktet e mëposhtme të kryera me qëllim për të shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar, si të tillë:
(a) Vrasjen e anëtarëve të grupit;
(b) Shkaktimi i lëndimeve të rënda trupore ose mendore…;
(c) Vënia e grupit qëllimisht në aso kushte të jetës që duhet të sjellin zhdukjen e plotë fizike ose të pjesshme të tij;
(d) Vendosja e masave për të parandaluar lindjet brenda grupit;
(e) Transferimi me forcë i fëmijëve nga një grup në tjetër.” (Convention on the Prevention and Punishment of the Crime of Genocide).
Episode të këtilla ka njohur historia qoftë në periudha të mëhershme por edhe në etapat e mëvonshme dhe bashkëkohore të gjinisë njerëzor. Nuk gabohemi nëse gjenocidin e kuptojmë si nënën e të gjitha krimeve. Për këtë studiuesi afrikano-jugor, njëherit ndër emrat më eminentë në fushën e studimeve mbi gjenocidin, Leo Kuper, dikur kishte shkruar se: “Fjala është e re, ndërsa koncepti është i lashtë”. Pra, rrënjët e tij thuajse janë humbur në lashtësi, aq sa sot studiuesit e fushës mund të flasin edhe për “arkeologjinë e gjenocidit”. (Frank Chalk, Kurt Jonassohn 1990).
Në veprën e tij me titull “Genocide: A World History” (Gjenocidi: një histori botërore), të autorit Norman M. Naimark, botuar në vitin 2017 nga Oxford University Press, lexuesit i vihet në dijeni se: “…gjenocidi është fenomen historik mbarëbotëror, që e ka zanafillën me fillimin e shoqërisë njerëzore.” (fq.5) dhe se, sipas tij, “…disa kryhen brenda ditëve ose javëve, të tjerat mund të zgjasin dekada. Disa përfshijnë miliona njerëz; të tjera mijëra.” (fq.6).
Nga përkufizimi i mësipërm lë të kuptohet që pak rëndësi ka se sa është kuantiteti i grupit që i nënshtrohet gjenocidit. Me këtë rast e rëndësishme është se autorët e krimit i realizojnë ekzekutimet dhe e zbatojnë urdhrin për ta zhdukur dhe eliminuar fizikisht “tjetrin”, i cili është i dallueshëm dhe nuk është sikurse “ne”. Andaj, edhe thirrja e dikurshme e presidentit aktual të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të vrarë “…100 myslimanë për 1 serb” në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe masakrat, spastrimet etnike dhe krimet kundër njerëzimit, që regjimi gjakatar i Sllobodan Milosheviqit me shokë i ndërmori kundër popullsisë civile nëpër vise dhe vendbanime të ndryshme të Kosovës gjatë periudhës 1998-99, klasifikohen si akte të gjenocidit.
Ndërkaq, Zygmunt Baumani në veprën e mirënjohur të tij “Moderniteti dhe Holokausti”, gjenocidin e sheh si një fenomen modern, i cili rrotullohet rreth katër tipareve thelbësore të modernitetit, si: nacionalizmi; racizmi “shkencor”; kompleksiteti teknologjik; dhe racionalizimi burokratik. Megjithatë, Adam Jones-i, nëpërmjet librit “Genocide: A Comprehensive Introduction” (fq. 289) duket se e sfidon Baumanin dhe qëndrimet e tij, duke e sjell, ndër tjerash, si shembull edhe gjenocidin në Ruanda (fq.290).
Për ta kryer gjenocidin, madje edhe democidin, siç i quan Rudolph Rummer vrasjet masive që mund të ndërmarrë një qeveri e caktuar kundër qytetarëve (shembulli i Kmerëve të Kuq në Kamboxha ose i Sirisë gjatë periudhës së regjimit), mjafton që ta urresh tjetrin dhe të posedosh “aftësi” për të vrarë sa më shumë, ngase në këso katastrofa njerëzore, “Fuqia vret, kurse Fuqia absolute vret absolutisht” (Jones, 2006).
Kështu duket se zhvillimi dhe potenciali i gjithanshëm njerëzor në këtë epokë të Inteligjencës Artificiale dhe i cili reflektohet edhe në suaza të politikës dhe qeverisjes, nuk do të duhej të shërbejë për ta gllabëruar, zhdukur dhe asgjësuar njeriun dhe një grup të caktuar, porse të jetë në shërbim dhe dobi të njerëzisë, natyrës dhe së mirës së përgjithshme. Dhe, kur sot në ekranet televizive dhe rrjetet sociale sheh pamjet nga Rripi i Gazës së kapluar gjithandej me gjakderdhje, mizori, dëbime, krime kundër njerëzimit e barbari të ngjashme, vërtet bën të kuptosh se sot vrasjet janë bërë rrëfim rutine statistikore dhe se njeriu i shek. XXI është shndërruar në qenie ku i mungon njerëzorja dhe e fismja. Për shekullin XX thuhej se e karakterizonin megavdekjet (Zbignew Brzezinski) dhe më shumë vrasje se në çdo kohë tjetër në histori (Mark Levene), mirëpo edhe ky shekull nuk është se nuk mund ta marrë një epitet të atillë.
Pas mizorive të Luftës së Dytë Botërore dhe ngjarjeve të viteve të ‘90-ta që i përjetoi opinioni botëror dhe Komuniteti Ndërkombëtar u krijua një shpresë që, megjithatë, dinjiteti njerëzor, të drejtat e njeriut dhe e drejta për jetë do të ishte kusht i pashmangshëm për shtetet dhe njerëzimin, mirëpo duket se këto vlera dhe parime në aktualitetet e tanishme qëndrojnë mbi “këmbë të qelqta”. Organizatat e ndryshme ndërkombëtare, që janë krijuar si mekanizma, struktura e regjime për ta ruajtur paqen dhe sigurinë e për t’i parandaluar luftërat, madje edhe ato me përmasa gjenocidi, tregohen të paefektshme përballë fuqisë politike, ekonomike dhe ushtarake të shteteve kombe. Vullneti i funksionimit të tyre duket se varet nga (mos) gatishmëria e tyre (shteteve) për veprim.
Një ligj i shkruar bukur, që ka për synim t’i mbrojë njerëzit për aq kohë sa nuk vihet në funksion, ngel vetëm një dëshirë e kotë dhe e parealizueshme. Ka dështuar sot edhe doktrina humanitare Përgjegjësia për të Mbrojtur, e cila aq shumë u promovua në qarqet e ndryshime të OKB-së në fillim të këtij shekulli që po frymojmë. Joefektive janë edhe agjencitë e ndryshme të OKB-së, që ndonëse bëjnë thirrje për paqe dhe ndihmë humanitare, hasen në vesh të shurdhër.
Një botë pa luftë, ku mbizotëron paqja, siguria, mirëqenia dhe ku njerëzit do ta respektonin njëri-tjetrin pa dallim përkatësie etnike, religjioze e racore dhe me kufij të pranuar nga çdonjëra palë, s’do mend se do të ishte botë ideale dhe e dëshirueshme nga çdokush për të jetuar, mirëpo për të arritur gjer tek kjo, duket se shoqëria njerëzore ka edhe shumë punë për të bërë!