Gjenocidi është mysafir legjitim në shtëpinë e modernitetit!

Njeriu modern duhej të krijonte shoqëri kulturalisht, mendërisht dhe ideologjikisht uniforme. Ishte e nevojshme që njerëzit t’i ngjanin njëri-tjetrit brenda një botëkuptimi të caktuar. Ndërkaq klasifikimi, kategorizimi dhe emërtimi u shndërruan në kryefjalë për njeriun modern kundrejt kësaj përpjekjeje. Në fakt, ashtu siç argumenton Derrida, ekziston një paradoks në gjithë këtë: si është e mundur që moderniteti, nga njëra anë, shtron idealin për ndërtimin e një bote mbi parimet universale, ndërsa, nga ana tjetër, këtë gjë përpiqet ta arrijë përmes klasifikimit, kategorizimit, emërtimit, të gjitha këto shënjues të kufirit?! 

Murat ALIU, Prilep 

Burimet e gjenocidit

Shkencëtarë të ndryshëm të shkencave sociale, madje shumica e tyre, gjenocidin ose aktet gjenocidale i ndërlidhin me racizmin dhe ideologjitë derivate të tij, siç mund të jenë nazizmi, fashizmi dhe ideologjitë të tjera të përafërta. Një përkufizim i zakonshëm i racizmit është se përbën një doktrinë që i redukton karakteristikat sociale të njerëzve në karakteristika racore dhe pohon se njëra racë është superiore ndaj racave të tjera. Ndërkaq, gjenocidi mund të përkufizohet si një akt i vrasjes masive kundër një grupi pakicë njerëzish për arsye politike, kombëtare, racore ose fetare.

Racizmi, si formë e frikës nga diversiteti social dhe si ksenofobi, ka ekzistuar gjithmonë, por si një ideologji, diskurs dhe si një paradigmë shkencore është një fenomen modern, që lindi në Europën Perëndimore. Prandaj racizmi mund të vështrohet nga këndvështrimi i marrëdhënies dije-pushtet, kjo për faktin se është gati se e pamundur që në shkrimet e pothuajse shumicës së filozofëve dhe mendimtarëve më me ndikim europianë, siç është Locke, Kant, Hegel, Fichte, Bentham, Mills, Herder. Weber, Marx dhe shumë të tjerë, të mos e gjesh a vëresh qasjen e tyre raciste, ku raca “e bardhë” dhe në përgjithësi “europiani” përfytyrohet si superior ndaj racave të tjera. Të gjithë këta filozofë, mendimtarë e shkrimtarë eurocentrikë e përligjën idenë e epërsisë së “europianit” dhe njeriut të bardhë kundrejt pjesëtarëve të racave tjera. Duke qenë kështu, “europianit” i është dhënë detyra historike ta qytetërojë pjesën tjetër të botës. Në këtë kontekst, racizmi dhe shumë gjenocide që u kryen si rrjedhim i tij, u legjitimuan në emër të emër të këtij misioni. Sigurisht, realizimi i këtij misioni ishte i pamundur pa përjashtimin e dhunës.

John Locke, në shumë prej shkrimeve të tij, flet për epërsinë e njeriut të bardhë ndaj racave të tjera. “Ajo që e përmban thelbin e njeriut përmban edhe thelbin e bardhësisë”, shkruante në një rast Locke. Studiues të ndryshëm të mendimit filozofik perëndimor janë të mendimit se Kanti është mbase teoricieni i parë i nocionit të racësdhe, duke qenë kështu, edhe përligjës i racizmit, edhe pse, ndoshta, në mënyrë indirekte. Kanti, në ligjëratat e tij, të titulluara Мbi gjeografinë fizike, të cilat më vonë i boton në vëprën me titull Mbi racat e ndryshme njerëzore, ishte ndër teoricienët e parë që bëri klasifikimin e racave njerëzore, gjë që detyrimisht ia hapi rrugën racizmit dhe idesë për superioritetin e njeriut të bardhë karshi të gjithë të tjerëve. Duke e analizuar këtë çështje, ai arrin te pyetja se “A duhet të rekomandohet përzierja e racës?” dhe përgjigja tij është se racat nuk shkrihen dhe nuk duhet të shkrihen ose përzihen me njëra-tjetrën, kjo ngase, sipas tij, “jo çdo racë mund të përshtatet me traditat dhe vlerat morale të europianëve”. Në veprën Mbi filozofinë e historisë botërore, Hegeli në mënyrë absolute e përjashton Afrikën nga rrjedhat e historisë njerëzore, me argumentin se njeriu i zi (Afrika) nuk është subjekt i historisë. Ai e sheh Afrikën si një vend fëmijërie, sepse ajo mbetet e palidhur dhe e pakomunikueshme me pjesën tjetër të botës dhe përmend se ajo merr ngjyrën e errët të natës. Hegeli e quajti historinë botërore një gjykatë (Gericht), një gjykatë botërore (Weltgericht), madje në Leksionet e tij mbi historinë botërore, duke i nxjerrë afrikanët para drejtësisë, ai i gjykoi si barbarë, kanibalë, njerëz që mendja e tyre ishte plot me fetishe, pa histori dhe pa një vetëdije lirie. Sipas Hegelit, Afrika i nënshtrohet parimit të tokës së lartë, që flet për atë se ajo nuk ka kapacitet kulturor. Në diskutimet e tij lidhur me skllavërinë, Hegeli shprehet se afrikanët me vetëdëshirë e përligjin atë dhe se racës së zezë i mungon vullneti dhe dëshira për “çlirim”.

Utilitaristët anglezë e mbronin tezën se shoqëria indiane nuk mund të ndryshonte e t’i përshtatej modernitetit me dinamikat e veta të brendshme. Kështu, Jermeny Bentham-i ishte i mendimit se India mund të përdorej si një laborator për ta vënë në jetë sistemin juridik të zhvilluar prej tij. James Mill, pasues i Bentham-it, kishte bindje se shoqëria indiane nuk mund të transformohej e të ndërtonte një rend social me forcat e veta. Ai shkruante se po të merret parasysh despotizmi dhe klerikalizmi së bashku, India është shoqëria me e skllavëruar e racës njerëzore, shpirtërisht dhe trupërisht. Max Weber-i supozonte se epërsia e njeriut europian ushqehej nga një burim i paqartë gjenetik, që i bënte europianët gjithmonë më racionalë dhe për këtë arsye më të ndjeshëm ndaj përparimit. Weber-i argumentonte se afrikanët ishin gjenetikisht të paaftë për të punuar në fabrikë, kjo ngase, sipas tij, tërësisht ose pjesërisht për shkak të karakteristikave të tyre gjenetike. Parë në mënyrë tejet sipërfaqësore historinë e mendimit filozofik perëndimor, është e pamundur të mos vëresh që ajo në pjesën më të madhe të saj është e stërmbushur me pikëpamje raciste ose, në rastin më të mirë, me qëndrime përjashtuese e përbuzëse për shoqëritë joeuropiane. Kjo mendësi është mishëruar fuqishëm në mendimin filozofik, në letërsi, në art, në pikturë, kinematografi etj.

Përmes këtyre shembujve, që në fakt paraqesin informacione të zakonshme dhe botërisht të ditura, nuk synojmë që në këtë analizë të bëjmë historinë e racizmit. As edhe ta trajtojmë sistematikisht mendimin e njërit ose më shumë filozofëve kudnrejt kësaj çështjeje. Ideja është që të shtrojmë një kornizë pak a shumë të vlefshme për të argumentuar се gjenocidi, burimi i të ciliт në të shumtën e rasteve është racizmi, paraqet një fenomen modern.

Këtа pesë shekujt e fundit, ideja e superioritetit të racës së bardhë, përveç kolonializmit politik, ekonomik dhe kulturor, е hapi rrugën e akteve të shumta gjenocidale. Gjithë historia kolonializmit dhe ekspansionizmit europian përshkruhet nga masakrat metodike të popullsive autoktone. Sigurisht, gjenocidi, që më së shumti provokon vëmendje është ai i indigjenëve amerikanë. Makina e shkatërrimit të racave tjera, pra ushtrimit të gjenocidit, madje etnocidit, është ngritur mbi idenë dhe në emër të superioritetit të gjithanshëm të qytetërimit europian, qytetërim të cilin e krijoi njeriu i bardhë. Të jesh modern dhe i qytetëruar nënkuptonte të mos jesh i ndryshëm prej njeriut të bardhë.

Gjenocidi si kusht i pashmangshëm i modernitetit!

Në këtë pjesë të analizës sonë, duke marrë për bazë pikëpamjet e njërit ndër sociologët më me nam të shekullit XXI, Zigmund Bauman, do të bëjmë një përpjekje që të argumentojmë, mbase pak më në detaje, faktin se gjenocidi përbën një rrjedhim të domosdoshëm të modernitetit. Në fakt, do të fokusohemi te libri i tij Moderniteti dhe Holokausti, ku Bauman-i me një mjeshtëri të paparë argumenton se holokausti dhe aktet gjenocidale në botën moderne janë rrjedhime të epistemologjisë së modernitetit. Sipas tij, holokausti në asnjë mënyrë nuk duhet menduar si një aksident në historinë e qytetërimit modern, por si një kusht i domosdoshëm i këtij qytetërimi. Edhe pse për Bauman-in holokausti për shumë arsye përbën një fenomen dhe akt gjenocidal sui generis, unik për nga shumë aspekte, jemi të mendimit se qëndrimet e tij për ta argumentuar holokaustin në raport me modernitetin vlejnë edhe për ta argumentuar gjenocidin në përgjithësi.

Në analizën rreth holokaustit dhe, rrjedhimisht, akteve gjenocidale, Bauman-i e arrin kulmin atëherë kur e parashtron pyetjen se “si ka mundësi që holokausti lindi brenda një shoqërie e cila pretendonte se ishte më e qytetëruar në botë?”. Në mënyrë analogjike me këtë dhe në kontekstin e temës që e trajtojmë në këtë artikull, edhe për gjenocidin e serb në Srebrenicë mund të parashtrohet pyetja e njëjte: si është e mundur që gjenocidi në Srebrenicë u realizuar mu në mes të Europës, qytetërim ky që e shenjtëroi veten pikërisht duke i atribuuar të gjithë karakteristikat që paraqesin kundrinën e gjenocidit. Në këtë kontekst, përkundër saj që shpesh mendohet se holokausti dhe aktet gjenocidale paraqesin të kundërtën e qytetërimit europian, në fakt, argumenton Bauman-i, këto zbulojnë një fytyrë tjetër, të panjohur për ne, pra të shoqërisë moderne. Aktet gjenocidale dhe luftërat, si Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, si dhe masakrat e ndryshme që ndodhën në shekullin XX në Europë, por edhe ato që tani po ndodhin nëpër pjesë të ndryshme të botës, dëshmojnë se qytetërimi, ashtu siç pretendonte, nuk arriti t’i shtypë instinktet shtazore, të dhunshme dhe emocionale të njeriut. Përkundrazi, qytetërimi modern, si asnjëherë më parë në historinë njerëzore, e prodhoi dhunën dhe vuajtjen.

Ideja qendrore e Bauman-it kundrejt vrasjeve masive qëndron në atë se këto akte janë të mundura vetëm me përparimin e teknologjisë, shkencës, industrializimit, krijimit të shtetit modern, burokratizimit racional dhe, sigurisht, prodhimit të një morali tjetërfare. Të gjitha këto u vendosën në funksion të idealit kryesor të modernitetit dhe iluminizmit, që ishte formësimi dhe projektimi i një bote uniforme, të organizuar racionalisht dhe shkatërrimin e heterogjenitetit social, që u trashëgua nga bota paramoderne. Ashtu siç u argumentua më lart, ishin pikërisht shkencëtarët e shkencave sociale dhe të atyre natyrore ata që të parët filluan t’i bëjnë klasifikimet mbi ndarjen e racave, popujve dhe kulturave. Kështu ideja mbi epërsinë e një kombi a populli u përligj pikërisht në emër të shkencës dhe diskurseve shkencore. Duke qenë kështu, racizmi dhe aktet gjenocidale janë të pamendueshme pa përparimin e shkencës moderne. Prandaj, është mendësia moderne dhe iluministe ajo që e bëri të mundshëm racizmin. Ai, gjithashtu, e krijoi kërkesën për racizëm. Ndërkaq zhvillimi teknologjik dhe “fabrika” si metaforë u shndërrua në një vend në të cilin si lëndë e parë ishin njerëzit dhe produkti përfundimtar vdekja.

Megjithatë, kjo lidhje shkakësore mes modernitetit, racizmit dhe gjenocidit del në pah veçmas me idealin thelbësor të modernitetit për të krijuar një shoqëri të organizuar racionalisht me një precizitet dhe saktësi si të orës dhe, mbase, me agjentin ose derivatin kryesor të modernitetit, që është shteti dhe burokracia moderne. “Kërkesa për rend” ose vendosja e rendit në kuptimin e krijimit të një bote të projektuar në mënyrë racionale dhe mekanike përbën idealin kryesor të modernitetit. Së këndejmi, në epistemologjinë e modernitetit qëndron lufta kundër paqartësisë, kaositdhe parregullsisë. Thënë ndryshe, detyra parësore që ia ngarkoi vetes njeriu modern ishte lufta kundër diversitetit kulturor e shoqëror, si dhe pagdhendshmërisë mendore e trashëguar nga bota paramoderne. Njeriu modern duhej të krijonte shoqëri kulturalisht, mendërisht dhe ideologjikisht uniforme. Ishte e nevojshme që njerëzit t’i ngjanin njëri-tjetrit brenda një botëkuptimi të caktuar. Ndërkaq klasifikimi, kategorizimi dhe emërtimi u shndërruan në kryefjalë për njeriun modern kundrejt kësaj përpjekjeje. Në fakt ashtu, siç argumenton Derrida, ekziston një paradoks në gjithë këtë: si është e mundur që moderniteti, nga njëra anë, e shtron idealin për ndërtimin e një botë mbi parimet universale, ndërsa, nga ana tjetër, këtë gjë përpiqet ta arrijë përmes klasifikimit, kategorizimitdhe emërtimit, të gjitha këto shënjues të kufirit?! Pavarësisht këtij paradoksi, ndarja dhe klasifikimi si kategori mendore dhe shoqërore u përdorën për arritjen e këtij ideali. Klasifikimi përbëhet nga aktet e përfshirjes dhe përjashtimit. Çdo akt emërtimi e ndan botën në dysh: entitete që i përshtaten emrit të dhënë dhe ato që nuk i përshtaten. Subjekte të caktuara mund të përfshihen në një kategori vetëm nëse subjektet e tjera përjashtohen. Një operacion i tillë përfshirje/përjashtimi është, në çdo rast, një akt dhune i aplikuar: ai kërkon një sasi të caktuar force dhe mund të ketë sukses nëse shtrirja e forcës së aplikuar është e mjaftueshme për ta balancuar diferencën e krijuar. Përfytyrimi i tjetrit ose i të jashtmit, i cili nuk na ngjan neve dhe shpeshherë përfytyrohet si rrezik ontologjik në logjikën e modernitetit, ose duhej asimiluar, pra reduktuar tek vetja, ose duhej zhdukur fizikisht. Ishte pikërisht ky qëllim dhe ideal që shkaktoi dhe akoma sot e kësaj dite vazhdon të shkaktojë aktet më çnjerëzore të mundshme.

Ideologjitë politike dhe fetare moderne lindën pikërisht për këtë qëllim, pra vendosjen e individit brenda një konteksti të caktuar të të menduarit ideologjik. Ideologjia, në kuptimin althusserian, është ajo që njerëzit i thirr si subjekte; ajo e krijon subjektivitetin e tyre. Nacionalizmi, racizmi, nazizmi, fashizmi dhe të gjitha ideologjitë e tjera moderne, e mishëronin idealin e modernitetit: urrejtjen ndaj ambiguitetit paramodern dhe formësimin e individit brenda një kallëpi të caktuar botëkuptimor. Thënë ndryshe, njeriu modern duhej të kishte një identitet të caktuar, për të cilin do t’ia vlente të jetojë dhe sakrifikojë. Në botën moderne, identiteti më i fuqishëm pa dyshim ishte ai kombëtar. Njeriu modern duhej të identifikohej më një kolektivitet, qoftë imagjinar ose real, ngase vetëm identifikimi me një kolektivitet nënkuptonte vendosjen e rendit. Në këtë pikë duhet nënvizuar faktin se jo që në botën paramoderne nuk ekzistonte “një rend” dhe nuk ekzistonin identitetet, por edhe rendi shoqëror edhe identiteti formoheshin në mënyrë spontane. Ndërkaq, në botën moderne të gjitha këto duhej të projektoheshin në mënyrë racionale me një qëllim të caktuar.

Megjithatë, ai i cili ofroi ndihmën logjistike për jetësimin e këtyre idealeve të iluminizmit ishte, pa dyshim, shtetit modern me burokracinë e tij racionale. Pa u ndalur shumë në karakteristikat e shtetit modern, do të mjaftohemi të themi që shteti modern është një organizatë, e cila përmes mekanizmave dhe teknikave të ndryshme të pushtetit, posedon aftësinë ta formësojë individin dhe ta projektojë shoqërinë konform ideologjisë dominuese të tij. Karakteristika kryesore e shtetit modern është pa dyshim e drejta e tij për ta përdorur dhunën fizike (Weber) dhe simbolike (Bourdieu). Këtë formacion të shtetit Bauman-i e quan “shteti kopshtar”, i cili e konsideron shoqërinë se sundon si një objekt i projektimit, kultivimit dhe spastrimit prej bimëve helmuese. Shteti modern i cili e luan rolin e “kopshtarit” në emër të pastërtisë dhe uniformitetit të kopshtit (kulturës dominonte) është i aftë t’i shkulë të gjitha bimët (pakicat ose grupet etnike të ndryshme) të këqija, të cilat llogariten si të rrezikshme për mirëqenien e përgjithshme të kopshtit. Shteti modern është ai që e përcakton normalen dhe jonormalen. Ai vendos se cilat bimë do të kultivohen dhe cilat do të eliminohen.

Gjenocidi në Srebrenicë si mishërim i nacionalizmit, racizmit dhe ortodoksisë serbe

Akte të tilla çnjerëzore, siç është gjenocidi, kryhen vetëm dhe vetëm nën emrin e një kauze të madhe, e cila shpeshherë imagjinohet si mesianike dhe historike. Përderisa në botën paramoderne kauzat që shkaktonin vrasjet masive ndërlidheshin kryekëput me religjionin, në botën moderne kryesisht ndërlidhen kombin, shtetin-komb dhe nacionalizmin. Nacionalizmi, i cili përveçse shfaqet në forma të ndryshme, nuk e ka problem të mishërohet në secilën prej ideologjive të ndryshme, si liberalizmi, konservatorizmi, fashizmi, nazizmi ose socializmi.

Për ta vendosur gjenocidin e Srebrenicës brenda një konteksti ideologjik, duhet thënë se nacionalizmi, së paku sipas disa studiuesve, ndahet në dy lloje. Kështu, për shembull, Anthony Smith flet për llojin e nacionalizmit civil dhe etnik. Përderisa në modelin e nacionalizmit civil, i cili identifikohet me llojin e nacionalizmit të Europës perëndimore, lidhshmëria e anëtarëve të kombit konsiston në të drejtat dhe detyriemt e përbashkëta ligjore përpara shtetit, ndërsa në modelin e kombit etnik solidariteti ndërmjet anëtareve të komunitetit imagjinar arrihet duke i theksuar elementet kulturore, siç janë gjuha, gjaku, mitet, atdheu, e kaluara e përbashkët etj. Sipas Smith-it, një nga elementet themelore të nacionalizmit etnikë është synimi për aneksimin e “farefisit” dhe tokave të tij, që gjenden jashtë kufijve të “etno-kombit”. Pra, nacionalizmat etnikë janë irredentiste dhe pan-nacionaliste.

Duke analizuar brenda këtij kuadri teorik, shumëkush është i mendimit se lloji i nacionalizmave ballkanikë (nacionalizmi serb, bullgar, grek) përputhet me atë që Smith-i e quan nacionalizëm etnik e që inspirim epistemologjik e ka romantizmin gjerman. Duke qenë kështu, kujtesa kolektive mbi të kaluarën, ideja për një atdhe historik dhe mitet në vendet ballkanike kanë luajtur një rol të veçantë në përcaktimin e rrjedhës së historisë së paku në këta dy shekujt e fundit. Kur shikojmë prapa në histori, mosmarrëveshjet, luftërat dhe sigurisht masakrat në Ballkan, pothuajse të gjitha janë shkaktuar duke u thirrur në një farë “të drejte historike”, e drejtë kjo që në fakt është pasqyrim i një mitomanie. Këto lloj mitesh, që e theksojnë lavdinë dhe madhështinë e kombit serb , janë të mishëruara fuqishëm në mendimin nacionalist serb. Serbët, qysh herët, pra që me shfaqjen e nacionalizmit serb dhe menjëherë pas krijimit të shtetit të tyre kombëtar, filluan ta artikulojnë idenë e Serbisë së Madhe ose shtetit të madh serb (memorandumi i vitit 1844 i Ilija Garashaninit). Ashtu si ideja e Bullgarisë së Madhe dhe Megali Ideja greke, edhe ideja për krijimin e Serbisë së madhe përligjej me narrative historike. Sipas historiografisë dhe mendimit nacionalist serb, kufijtë e shtetit mesjetar të Car Dushani janë ato që e legjitimojnë idealin e krijimit të Serbisë së Madhe.

Karakteristikë tjetër e nacionalizmave ballkanik, veçmas (klero)nacionalizmit serb, i cili shpeshherë ka marrë edhe formën e racizmit, është paaftësia për ta duruar ekzistencën e tjetrit ose të ndryshmit. Pikërisht këtu duhet kërkuar edhe arsyet e gjenocidit në Srebrenicë dhe të dhjetëra masakrave të kryera nga Serbia edhe atë jo vetëm në periudhën më të re, por edhe përgjatë këtyre dy shekujve të fundit. Kjo intolerancë ndaj heterogjenitetit dhe diversitetit shoqërorë e kulturor e prodhoi edhe Memorandumin për dëbimin e shqiptarëve, të përpiluar nga Vasa Çubrilloviqit në vitin 1937 dhe Dokumentin e Ivo Andriqit për shfarosjen dhe shpërnguljen e shqiptarëve. Pra, që të dyja memorandumet e parashohin dëbimin dhe zhdukjen fizike të “tjetrit”. Kjo nënkupton se shpërngulja dhe zhdukja ontologjike shihet si mënyra përfundimtare për të shpëtuar nga elementet e padëshiruara dhe, sigurisht, të rrezikshme.

Gjenocidi serb në Srebrenicë dhe jo vetëm u shkaktua nga një gërshetim i racizmit, nacionalizmit, vetidealizimit dhe shenjtërimit të kombit dhe historisë serbe. Aktet e tilla makabre burojnë nga një lloj frike nga ekzistenca e “tjetrit” dhe të ndryshmit, i cili përfytyrohet si rrezik për qenësinë e kombit dhe shtetit në emër të të cilit kryhet gjenocidi. Gjenocidi serb në Srebrenicë dhe masakrat e kryera nga Millosheviqi në Kosovë u realizuan për shkak se edhe boshnjakët edhe shqiptarët u konsideruan si kërcënues dhe pengues të realizimit të idealit për krijimin e shtetit të madh serb. Ndërkaq, nga ana tjetër, bazuar në një mitomani, edhe Kosova dhe Bosnja në perceptimin e një nacionalisti serb janë toka historike, të shenjta, për të cilat paraardhësit e tyre e kanë sakrifikuar jetën e tyre. Në këtë kontekst, mitet luajnë një rol të jashtëzakonshëm në gjithë këto gjëra.

Gjenocidi serb në Srebrenicë, ashtu si edhe të gjithë të tjerët, paraqesin një refleksion të mendësisë moderniste dhe idealeve të saj, për të cilat u fol më lart. Racizmi, shovinizmi, nacionalizmi (agresiv) e të tjera, në thelb janë ideologji moderne dhe duke qenë kështu, ato paraqesin programe politike, të cilët në mënyra të ndryshme përpiqen t’i realizojnë idealet e modernitetit. Ideali për të krijuar një shtet me një popullsi kulturalisht homogjene dhe uniforme përbën mbase synimin parësor të mendësisë moderniste dhe iluministe, ndërkaq shteti modern, me mekanizmat dhe teknikat e tij të avancuara të pushtetit, paraqitet si ekzekutuesi dhe xhelati i akteve gjenocidale.

Disa fjalë mbi 11 korrikun – Ditën Ndërkombëtare të Gjenocidit në Srebrenicë

Sigurisht që shpallja e 11 korrikut si Ditë Ndërkombëtare e Gjenocidit në Srebrenicë, nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, është një akt i mirëpritur nga pothuajse të gjithë popujt e botës, pavarësisht votimit të shteteve të tyre. Me këtë rezolutë, përveçse do të përkujtohen e nderohen viktimat e këtij akti gjenocidal, gjithashtu stigmatizohet dhe vuloset faji përjetësisht i xhelatit të këtij krimi, e që është Serbia si shtet në përgjithësi, si dhe regjimi millosheviqian në veçanti. Kjo njohje dhe pranim botëror i këtij gjenocidi paraqet një njollë për Serbinë, e cila nëse dëshiron ta shlyejë, do të duhet të përballet me vetveten dhe të kaluarën e saj të errët. Se a do të reflektojë Serbia dhe se a do të hapet një kapitull i ri se si bota do ta trajtojë Serbinë pas kësaj, kjo është e vështirë të përcaktohet. Ajo që tani për tani duket në horizont është Serbia, me një fanatizëm të paparë dhe pa asnjë pendesë për këtë krim, dëshiron të vazhdojë si deri më tani. Andaj mbetet për t’u parë se si do të reflektojë bota kundrejt Serbisë. Kur themi se si do të reflektojë bota, këtu para së gjithash e kemi parasysh faktin se si do të pozicionet faktori ndërkombëtar karshi politikave të Serbisë përkitazi me Bosnjën dhe Kosovën.

Nga ana tjetër dhe për ta përfunduar, kjo rezolutë, e cila u mbështet nga pothuajse të gjitha vendet europiane dhe SHBA-ja, paraqet edhe një larje të një mëkati që për gati se 30 vjet e brente ndërgjegjen perëndimore. Si të thuash, përmes kësaj njohjeje të këtij krimi, bota perëndimore faktikisht po tenton të shfajësohet nga përgjegjësia e saj për këtë krim. Edhe pse viktimat dhe historia nuk mund të kthehet mbrapsht, ky është një hap pozitiv drejt një bote më të drejtë dhe më të mirë. Dhashtë Zoti që këto akte gjenocidale kurrë të mos përsëriten!

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button