Gazetari amerikan Tucker Carlson: Në Shqipëri, i njëjti plan si në Gaza!

Gazetari amerikan Tucker Carlson ka përdorur Shqipërinë si shembull gjatë një podcasti ku kritikoi projektet e mëdha të zhvillimit turistik të lidhura me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, duke i krahasuar ato me idetë për rindërtimin e Gazës pas luftës.
Sipas Carlson, modeli i zhvillimit që po promovohet në disa zona bregdetare synon t’i shndërrojë ato në destinacione luksoze me hotele, resorte dhe kazino, duke rrezikuar natyrën dhe duke lënë në plan të dytë interesat e komuniteteve lokale.
“Po flasin për ta kthyer Gazën në një rivierë. Kjo është ajo që po ndodh në Shqipëri. Nëse mund ta bëjnë këtë në Shqipëri, mund ta bëjnë edhe në Gaza,” u shpreh Carlson.
Ai shtoi se, sipas tij, ideja është të krijohen komplekse luksoze për turistët dhe investitorët, ndërsa kritikoi faktin që zhvillime të tilla mund të kenë pasoja të rënda për mjedisin dhe banorët e zonave ku zbatohen.
“Ishulli shqiptar, resorti me kazino dhe striptiste në Gaza që e njoftuan vitin e kaluar… I pashë këto gjëra dhe thashë me vete: Do të kthehemi pas në kohë dhe do të qeshim hidhur me këtë.
Jam i tmerruar nga sasia e korrupsionit që po ndodh hapur tani. Dua të jem i qartë: jam i tmerruar prej tij.
Por gjithashtu mendoj me vete: njerëzit që besojnë se po ia hedhin dhe po shpëtojnë me këto gjëra, nuk do t’ia dalin. Çdo njeri që kryen krime të tilla do të ndëshkohet në këtë jetë ose në tjetrën. Askush nuk i shpëton asgjëje.
Kështu e shoh këtë gjë. Ashtu siç shoh Smotric që vrapon andej-këndej. “Duhet të vrasim më shumë njerëz!”- thotë duke qeshur. Turmat e duan Smotrich-un. Ato e duan edhe Ben Gvir-in. Dhe më vjen keq për ata njerëz. Sepse u them: Nuk do t’ia dilni të shpëtoni nga kjo”- deklaroi gazetari i njohur amerikan.
https://www.instagram.com/reel/Dan0ip6iWWt/
Deklaratat e Carlson lidhen me projektin e investimit të Jared Kushner në ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnecit, i cili prej muajsh ka nxitur protesta nga aktivistë dhe organizata mjedisore në Shqipëri.
Kundërshtarët e projektit argumentojnë se zhvillimi mund të dëmtojë ekosistemet e mbrojtura të bregdetit shqiptar, përfshirë lagunën e Nartës, habitatin e flamingove dhe mijëra shpendëve të tjerë shtegtarë.
Në të njëjtin podcast, Carlson kritikoi edhe planet për Gazën, duke thënë se nuk beson se shndërrimi i saj në një destinacion luksoz turistik është një zgjidhje për konfliktin.
Ai e lidhi këtë qasje me vizionin e promovuar nga Jared Kushner dhe me politikat e administratës së Donald Trump në Lindjen e Mesme, duke argumentuar se projekte të tilla nuk marrin parasysh interesat e popullsisë vendase.
Deklaratat e gazetarit amerikan kanë rikthyer në vëmendje debatin ndërkombëtar mbi zhvillimet e mëdha turistike në Shqipëri, si dhe ndikimin që ato mund të kenë mbi mjedisin, trashëgiminë natyrore dhe komunitetet lokale. \tesheshi.com\



