“Gaza është ferr në tokë, po i mbarojnë furnizimet”, Kryqi i Kuq bën thirrje për ndihmë

Presidentja e Kryqit të Kuq e përshkroi situatën humanitare në Gaza si “ferr në tokë” dhe paralajmëroi se spitali i tij do të mbarojë pa furnizime brenda dy javësh.
“Tani po e gjejmë veten në një situatë që unë duhet ta përshkruaj si ferr në tokë. Njerëzit nuk kanë qasje në ujë, energji elektrike, ushqim, në shumë pjesë”, tha Mirjana Spoljaric në selinë e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Gjenevë.
Bëhet e ditur se asnjë furnizim i ri humanitar nuk ka hyrë në enklavën palestineze që kur Izraeli bllokoi hyrjen e kamionëve me ndihma më 2 mars, ndërsa bisedimet ngecën në fazën tjetër të një armëpushimi tashmë të thyer.
Izraeli rifilloi sulmin e tij ushtarak më 18 mars.
Spoljaric tha se furnizimet po mbaronin në mënyrë kritike.
“Për gjashtë javë, asgjë nuk ka ardhur, kështu që ne, brenda dy javësh, do të na mbarojnë furnizimet që na duhen për të mbajtur spitalin”, tha ajo.
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se furnizimet me antibiotikë dhe qese gjaku po pakësoheshin me shpejtësi.
“Njëzet e dy nga 36 spitalet në enklavë janë vetëm minimalisht funksionale”, tha Dr. Rik Peeperkorn.
Raportohet se presidentja e Kryqit të Kuq ngriti gjithashtu shqetësimin për sigurinë e operacioneve humanitare.
“Është jashtëzakonisht e rrezikshme për popullsinë të lëvizë, por është veçanërisht e rrezikshme edhe për ne të veprojmë”, tha Spoljariç.
Ndryshe, në mars, trupat e 15 punonjësve të urgjencës dhe ndihmës, përfshirë tetë anëtarë të Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, u gjetën të varrosur në një varr masiv në Gazën jugore.
OKB-ja dhe Gjysmëhëna e Kuqe akuzuan forcat izraelite për vrasjen e tyre.