Gashi: Zgjedhjet në Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë dhe Qendër Zhupë do të mbahen më 11 janar

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi ka njoftuar se ka nënshkruar aktvendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të përsëritura për kryetarët e komunave të Gostivarit, Vrapçishtit, Mavrovës dhe Rostushës, si dhe të Qendrës Zhupë. “Zgjedhjet do të mbahen më 11 janar 2026, në përputhje me Kushtetutën, Kodin Zgjedhor dhe legjislacionin përkatës.
Me hyrjen në fuqi të këtij aktvendimi, institucionet përgjegjëse nisin zbatimin e afateve dhe procedurave ligjore. U bëj thirrje Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, komisioneve komunale, si dhe organizatave mbikëqyrëse të veprojnë me përpikëri, transparencë dhe profesionalizëm.
I ftoj të gjitha subjektet politike dhe kandidatët pjesmarrës në këtë proces, të zhvillojnë një proces të qetë, fer dhe demokratik, në respektim të standardeve zgjedhore dhe vlerave europiane.
Po ashtu, u drejtohem qytetarëve të këtyre komunave që të ushtrojnë të drejtën e tyre dhe të marrin pjesë masivisht në votim. Përsëritja e zgjedhjeve dëshmon rëndësinë e pjesëmarrjes së secilit qytetar në vendimmarrjen lokale dhe forcimin e legjitimitetit institucional.
Kuvendi mbetet i përkushtuar ndaj proceseve të rregullta demokratike dhe konsolidimit të institucioneve të vendit”, ka deklaruar kryeparlamentari Gashi.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button