Gashi në Strugë: Zgjerimi i BE-së është kyç për stabilitetin e Evropës

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, deklaroi se zgjerimi i Bashkimit Evropian përfaqëson një nga politikat më të rëndësishme për stabilitetin afatgjatë, sigurinë dhe prosperitetin e kontinentit evropian.

Ai i bëri këto komente në hapjen e Konferencës së 23-të të Komisioneve Parlamentare për Çështje Evropiane/Integrime të vendeve të Procesit të Stabilizim-Asociimit të Evropës Juglindore, e cila po mbahet në Strugë.

Gashi theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Bashkimit Evropian jo vetëm gjeografikisht, por edhe për nga vlerat dhe historia e tyre, duke shtuar se bashkëpunimi rajonal është thelbësor për përshpejtimin e procesit integrues.

Ai nënvizoi se, në kushtet e sfidave komplekse gjeopolitike, ekonomike dhe të sigurisë, nevojiten politika të koordinuara evropiane, solidaritet dhe partneritete të forta. Sipas tij, zgjerimi mbetet instrumenti më i mirë për forcimin e paqes, demokracisë, sundimit të ligjit dhe stabilitetit në Evropë.

Duke folur për ndërlidhjen rajonale, Gashi tha se ajo është një element kyç për qëndrueshmërinë ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm, duke theksuar se Maqedonia e Veriut luan rol aktiv në avancimin e lidhjeve infrastrukturore dhe transportuese në rajon.

Ai shtoi se roli i parlamenteve kombëtare në procesin e integrimit është jashtëzakonisht i rëndësishëm, pasi ato mbajnë përgjegjësi për miratimin e ligjeve cilësore, mbikëqyrjen parlamentare dhe zhvillimin e dialogut me qytetarët, me qëllim afrimin më të shpejtë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Në hapjen e konferencës foli edhe nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshoski, i cili theksoi se bashkëpunimi rajonal dhe agjenda reformuese mbeten prioritete kryesore të shtetit. Ai vlerësoi se reformat janë të dobishme për të gjitha vendet e rajonit dhe kontribuojnë në përmirësimin e standardeve në të gjitha fushat.

Milloshoski shprehu shpresën se procesi i zgjerimit do të marrë sërish një shtysë të fortë politike brenda Bashkimi Evropian dhe se vendet e rajonit do të arrijnë të bëjnë së bashku hapa të rëndësishëm përpara drejt integrimit evropian.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button