Franca raporton mbi 1.800 arrestime pas protestave të Jelekëve të Verdhë të shoqëruara me dhunë

Ministri francez i Punëve të Brendshme, Laurent Nunez, pas përleshjeve, zjarrvënieve dhe plaçkitjeve në mbarë Francën, ka bërë të ditur se rreth 1.800 persona janë arrestuar gjatë dhe pas protestave mbarëkombëtare kundër kostos së jetesës, ku morën pjesë edhe grupe të Jelekëve të Verdhë, transmeton Anadolu.

Nunez në rrjetin social amerikan X gjithashtu njoftoi se 500 policë, xhandarë dhe zjarrfikës u plagosën. Ai tha se numri i të plagosurve mbetet paraprak dhe se hetimet janë duke vazhduar për identifikimin e personave përgjegjës, ndërsa disa qindra biznese kanë pësuar dëme të konsiderueshme materiale.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, demonstratat e djeshme mblodhën 550.000 persona në mbarë vendin, përfshirë 110.000 në Paris. Organizatorët e vlerësuan pjesëmarrjen në rreth 800.000 persona.

Në mobilizim morën pjesë kolektiva të Jelekëve të Verdhë, sindikata, studentë dhe fermerë. Derisa marshimi kryesor në Paris përfundoi pa incidente të mëdha, në periferi të demonstratave shpërtheu dhunë në disa qytete.

Një protestues humbi jetën pasi u rrëzua në bulevardin Magenta në Paris, ndërsa policia raportoi se personi kishte pësuar arrest kardiorespirator. Gazeta Le Parisien raportoi gjithashtu se një 17-vjeçar humbi njërën dorë pasi u godit nga një granatë policore në Saint-Etienne.

Policia e Parisit njoftoi 855 arrestime, ndërsa prokurorët raportuan veçmas 720 arrestime, përfshirë 517 persona të mbajtur në paraburgim, duke shtuar se shifrat ende nuk ishin përfundimtare.

Në Limoges, një zjarr shkatërroi ndërtesën historike të bashkisë së qytetit. Dyqanet u plaçkitën dhe ndërtesat u dëmtuan gjithashtu në qytete si Marsejë, Lion dhe Bordo.

Kryeministri Sebastien Lecornu do të drejtojë një takim ndërministror të krizës të dielën sot në orën 19:00, për të trajtuar ndikimin ekonomik, çështjet e sigurimeve dhe ndjekjen gjyqësore të rasteve. Ai do të takohet gjithashtu me kryetarët e bashkive të Parisit, Marsejës dhe Lionit, të cilët kërkuan shpjegime për burimet policore dhe mënyrën e menaxhimit të trazirave.

Kryetarja e Asamblesë Kombëtare, Yael Braun-Pivet, raporton BFMTV, po shqyrton krijimin e një komisioni parlamentar hetimor dhe do të takohet me drejtuesit e grupeve parlamentare të martën.

Lecornu fajësoi “ekstremin e majtë” për dhunën, ndërsa figura të opozitës kritikuan taktikat e policisë. Politikania e të Gjelbërve, Marine Tondelier, kërkoi dorëheqjen e ministrit Nunez.

Drejtori ekzekutiv i Carrefour, Alexandre Bompard, tha se më shumë se 50 dyqane ishin prekur, duke vlerësuar dëmet në disa milionë euro.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button