Fondacioni ALBIZ shpalli konkurs për ndarjen e 175 bursave studentore, aplikimi deri më 20 nëntor

Fondacioni ALBIZ ka shpallur konkurs për ndarjen e 175 bursave për studentë për vitin akademik 2026/2027. Bursa kap vlerën prej 6.000 denarësh në muaj për nëntë muaj, përkatësisht gjithsej 54.000 denarë për secilin përfitues, transmeton Portalb.mk.
Të drejtë aplikimi kanë studentët e ciklit të parë, përkatësisht studimeve deridiplomike, që ndjekin studimet në universitetet shtetërore në Maqedoninë e Veriut, Universitetin e Evropës Juglindore dhe Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik.
Konkursi përfshin studentët e vitit të dytë, të tretë, të katërt, të pestë dhe të gjashtë, të cilët janë studentë të rregullt, nuk kanë përsëritur vit gjatë studimeve, nuk përfitojnë bursë ose kredi nga ndonjë institucion apo ndërmarrje tjetër dhe janë shtetas të Maqedonisë së Veriut.
Bursat janë të dedikuara për studentët e një game të gjerë fakultetesh, përfshirë ato të mjekësisë, juridikut, ekonomikut, arkitekturës, ndërtimtarisë, shkencave informatike, elektroteknikës, pedagogjisë, bujqësisë, farmaceutikës dhe fakulteteve të tjera në universitetet e përfshira në konkurs.
Për aplikim, kandidatët duhet të dorëzojnë formularin e aplikimit, vërtetimin e regjistrimit të semestrit për vitin akademik 2026/2027, certifikatën për provimet e parapara dhe të dhëna, vërtetimin e notave ose kopjen e indeksit, si dhe dokumentet për statusin social dhe të ardhurat familjare. Kërkohen gjithashtu vërtetimi nga Drejtoria për të Ardhurat Publike për të ardhurat vjetore të secilit prind ose kujdestar për vitin 2025, kopja e letërnjoftimit dhe certifikata e lindjes.
Aplikimet duhet të dorëzohen personalisht në zyrën e Fondacionit ALBIZ, në rrugën 20, nr. 97, në Saraj të Shkupit. Afati i aplikimit është nga 16 tetori deri më 20 nëntor 2026, në orën 14:00.
Fondacioni njofton se aplikimet e pakompletuara ose të dorëzuara pas afatit nuk do të pranohen. Gjithashtu, nga e njëjta familje mund të përfitojë bursë vetëm një student, ndërsa rezultatet do të publikohen me numrat e dosjeve, jo me emrat e kandidatëve.
Formulari i aplikimit dhe konkursi i plotë mund të shkarkohen në faqen zyrtare të Fondacionit ALBIZ, www.albiz.org.mk. Për informata shtesë, të interesuarit mund të kontaktojnë në numrin 02 2057 632 ose në adresën elektronike info@albiz.org.mk, nga ora 08:00 deri në 16:00.



