Fillon “Marshimi i Paqes”, mijëra njerëz u bëjnë homazhe viktimave të gjenocidit në Srebrenicë

Më shumë se 6.000 njerëz u nisën këtë mëngjes nga Nezuk, pranë Sapnës, për në Potoçari për të nderuar mijëra burra dhe djem të vrarë në gjenocidin e Srebrenicës në korrik të vitit 1995, raporton Anadolu.
Gjatë tre ditëve të ardhshme, ata do të udhëtojnë përgjatë rrugës që njerëzit e Srebrenicës përdorën për të arritur në territorin e lirë 30 vjet më parë – Tuzla ose Kladanj ndërsa kolona do të udhëhiqet nga të mbijetuarit e gjenocidit të Srebrenicës.
Pjesëmarrësit në “Marshimin e Paqes” pritet të mbërrijnë në Potoçari më 10 korrik dhe një ditë më vonë do të marrin pjesë në një funeral kolektiv në varrezat e Qendrës Memoriale Srebrenicë – Potoçari, ku këtë vit do të varrosen eshtrat e shtatë viktimave të tjera të gjenocidit.
“Marshimi i Paqes” organizohet për herë të 21-të si pjesë e përkujtimit të 30-vjetorit të gjenocidit kundër boshnjakëve në “Zonën e Sigurt të Kombeve të Bashkuara” të Srebrenicës. Për të mbijetuarit e Srebrenicës, ai përfaqëson një lloj shërimi të traumës, por edhe një detyrim për të treguar dhe për t’ua përcjellë përvojat dhe historitë e tyre brezave të rinj.
Një grup prej më shumë se 130 personash mbërritën në “Marshimin e Paqes” të këtij viti nga Bosanska Krupa. Midis tyre është edhe Ademir Mesiq, i cili merr pjesë në “Marshimin e Paqes” për herë të 14-të.
“Gjëja më e vështirë është të kalosh nëpër rrugën që këta njerëz kaluan çdo vit dhe të dëgjosh se çfarë kanë kaluar ata”, tha ai duke deklaruar se ajo që dëgjohet në leksionet rreth gjenocidit në Srebrenicë nuk është e njëjtë me kalimin nëpër të gjitha ato zona nëpër të cilat ata kaluan.
“Është ndryshe të dëgjosh dëshmitë e të mbijetuarve”, tha ai. Mesazhi i tij është “të mos e lejojmë të ndodhë përsëri”, edhe pse aktualisht në Gaza po ndodh një gjenocid.
“Kjo në Gaza është më keq se ajo që ndodhi këtu. Një Srebrenicë padyshim nuk ishte e mjaftueshme për botën. Ne vetëm mund të bëjmë thirrje që kjo të ndalet”, shtoi ai.
Një numër i madh të rinjsh marrin pjesë në “Marshimin e Paqes”, dhe njëri prej tyre është 16-vjeçari Edin Gjogaz nga Tuzla.
“Është hera e dytë që jam në ‘Marshimin e Paqes’. Vitin e kaluar, ishte më e vështira për mua në ‘Kameniçko brdo'”, tha ai.
Në “Marshimin e Paqes” për herë të dytë merr pjesë edhe 17-vjeçarja Ajna Trapo nga Travniku.
“Jam e lumtur që jam pjesë e ‘Marshimit të Paqes’. Jemi këtu për të nderuar të vrarët dhe për të kultivuar kulturën e kujtimit të të vrarëve në gjenocid”, theksoi ajo.
Pjesa më e vështirë e itinerarit për të është dita e tretë e ecjes, kur kalojnë pranë “Bukva”-s famëkeqe ku mijëra banorë të Srebrenicës u vranë në një pritë ndërsa përpiqeshin të arrinin në territorin e lirë përmes pyjeve.
“Teksa ecni përgjatë rrugës ku kaluan të vrarët, imazhe dhe mendime të ndryshme ju kalojnë nëpër kokë”, shtoi ajo, duke thënë se “Srebrenica nuk duhet harruar ose përsëritur kurrë”.
Hana Malkiq (17) është në “Marshimin e Paqes” për herë të parë, megjithëse dëshira ka ekzistuar prej kohësh.
“Mendoj se kjo është më e pakta që mund të bëjmë”, tha ajo duke deklaruar se është fizikisht gati dhe do të shohë se si mund ta përballojë emocionalisht dhe psiqikisht.
“Marshimi i Paqes” është një ngjarje përkujtimore që mbahet çdo vit në korrik, duke shënuar përvjetorin e gjenocidit kundër boshnjakëve në “Zonën e Sigurt të Kombeve të Bashkuara” në Srebrenicë në korrik të vitit 1995.
“Marshimi i Paqes” synon gjithashtu të ndërtojë, përmirësojë dhe kultivojë një kulturë të kujtesës së gjenocidit kundër boshnjakëve në Srebrenicë dhe të parandalojë mohimin dhe relativizimin e krimit të gjenocidit.
Mbetjet e shtatë viktimave të gjenocidit të Srebrenicës, të kryer nga pjesëtarët e Ushtrisë së Republikës Sërpska dhe ndihmësit e tyre në korrik 1995, janë gati për varrim në një funeral kolektiv më 11 korrik në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës në Potoçari.
Deri më tani, 6.765 viktima të gjenocidit janë varrosur në Qendrën Memoriale Srebrenicë-Potoçari ndërsa 250 viktima janë varrosur në varrezat lokale me kërkesë të anëtarëve të familjeve.
Viktimat e gjenocidit u gjetën në 150 vende të ndryshme. Nga këto, 77 ishin në varre masive të zbuluara pas luftës. Viktima më e re e varrosur në Potoçari deri më tani ishte e porsalindura Fatima Muhiq ndërsa viktima më e vjetër Shaha Izmirliq, e lindur në vitin 1901.
Tribunali i Hagës, Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës dhe gjyqësori në Serbi dhe Kroaci deri më tani kanë dënuar gjithsej 54 persona me 781 vjet burgim dhe pesë dënime me burgim të përjetshëm – për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime të tjera të kryera në Srebrenicë në korrik 1995.
Nga këta, Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë (ICTY) në Hagë dënoi 18 persona për gjenocid dhe krime të tjera të kryera në Srebrenicë, duke u dhënë atyre pesë dënime me burgim të përjetshëm dhe 219 vjet burg.
Ratko Mlladiq, Radovan Karaxhiq, Zdravko Tolimir, Vujadin Popoviq, Ljubisha Beara u dënuan me burgim të përjetshëm për gjenocid ndërsa Radisllav Kërstiq dhe Drago Nikoliq u dënuan me 35 vjet burg.