Ekstremizmi në procesin e ri

Çka nëse “bota jonë model”, bota perëndimore, nuk është më ajo që ishte deri më sot?! Drejt cilave vlera, principe dhe mekanizma do të orientohet përpjekja kolektive për siguri, progres dhe mirëqenie?! Ndonëse kjo është pyetje retorike – sidomos për shtetet ballkanike që kanë orientim të qartë perëndimor dhe nuk kanë alternative ndaj tij – ecuria e luftës Rusi-Ukrainë i determinon në masë të madhe zhvillimet në kontinent, por jo vetëm. Dilemat e tilla mbase mund të mos jenë më reale në një skenar të mirë, ku lufta do të mbaronte dhe bota perëndimore do të nxjerrë mësimet e nevojshme dhe do të jetë edhe më rigoroze në principet e saj ose projektin liberal e demokratik.

Blerim HALILI, Prishtinë

Ekstremizmi, si botëkuptim dhe metodë veprimi, çdo ditë e më shumë po shndërrohet në një armik të botës që e kemi ndërtuar. Rreziku nga ngritja e ekstremizmit shfaqet në disa forma, duke cenuar kështu fundamentet e një botë të lirë dhe paqësore, rendin e mbase status quo-në. Edhe burimet e ekstremizmit janë të ndryshme dhe komplekse dhe ato shpesh nuk janë një e dy, por një shumësi shkaqesh të cilat manifestohen si “krijim kushtesh” për lindjen dhe ngritjen e mendimeve, ndjenjave dhe aplikimin e metodave të skajshme, ekstreme për realizimin e qëllimeve dhe aspiratave të grupeve, lëvizjeve dhe komuniteteve të ndryshme. Këto burime mund të jenë ideologjike, politike, fetare, ekonomike etj. Krizat ekonomike dhe pasigura janë një faktor kyç që krijojnë rrethana të favorshme për idetë ekstremiste, që i bëjnë njerëzit të kthehen tek disa fundamente dhe dogma, qoftë në formën e revoltës, qoftë në formën e përpjekjes për ndërtimin e botës sipas modelit që e mendojnë grupe dhe individë të ndryshëm. Aty shihet shpëtimi, aty shihet ikja nga pasiguria dhe fundosja e mëtejme dhe projektohet shpëtimi e fitorja.

Nga anarkia në institucionalizëm

Ndonëse në fjalorin dhe perceptimin tonë ekstremizmi si rrymë e botëkuptim është shfaqur me një nuancë joinstitucionale, apo si përjashtim nga strukturat e rregullta e legjitime, tashmë jemi përballë një botë të re, ku ekstremizmi po hyn në procesin e normalizimit edhe në botën ku dënohej e shihej si i huaj. Ky normalizim i ekstremizmit po bëhet teksa ai, me ndjesinë e urrejtjes për tjetrin, mosdurimin e nacionalizmin ekstrem, po fiton terren dhe nuancë institucionale, po gëzon përkrahje pothuajse masive, pra po kalon nga të qenit përjashtim e anarki, në rregull e institucionalizëm. Rritja e të djathtës ekstreme në Europë është vetëm një tregues i kësaj. Ndryshimi i kursit perëndimor për normat kryesore politike e humane me të cilat është identifikuar dhe kuptimësuar në thelbin e vet deri më sot, përbën një tregues të tmerrshëm të shkallës së çorientimit ose shmangies nga koncepti i botës së lirë, të barabartë, të mirëqenies e paqes. Ekstremizmi duket se nuk është më i huaj e i dënueshëm, por potencialisht pjesë e strukturave legjitime shoqërore e politike në kontinentin tonë dhe përtej.

Dilemat legjitime dhe boshllëku që krijon prishja e “botës model”

Pasiguria, krizat ekonomike dhe jostabiliteti politik në kontinentin tonë dhe në disa pjesë të botës, nga të cilat ndikohen drejtpërdrejt zhvillimet edhe në kontinentin tonë, kanë bërë që të krijohen rrethana të disfavorshme për vendosjen e mëtejme dhe shtrirjen e gjerë të vlerave demokratike dhe ndërtimin e botës sipas konceptit të lirisë dhe barazisë. Këto zhvillime kanë cenuar përpjekjet e popujve dhe shteteve për orientimet euro-atlantike dhe kanë krijuar rrethana pasigurie dhe shqetësime për ecurinë e zhvillimeve politike dhe të sigurisë dhe për mbarëvajtjen e integrimeve euro-atlanike në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ndonëse vendet vërtet aspiruese për integrim dhe përbrendësim të modelit perëndimor në strukturat e veta politike e shoqërore nuk e kanë vënë në mëdyshje vetë projektin apo vlerat me të cilat operojnë, situata që po krijohet po shpërfaq shqetësime lidhur me atë se a mund të jetë bota vërtet e lirë, të respektohet vullneti i popujve, integriteti dhe sovraniteti i shteteve dhe paqja botërore, si dhe të ketë kujdestarin global që në një skenar të keq do të mund edhe t’i mbronte me forcë vlerat dhe institucionet demokratike dhe vetë shtetin e shoqërinë atëherë kur cenohen prej armikut që dinim deri dje. Këto janë mbase shqetësime legjitime të një provenience që ende përpiqet të adresojë përjetimet e së kaluarës teksa ka ndërtuar narrativën dhe ëndrrën kolektive për t’u bërë në çdo segment pjesë e botës perëndimore duke përbrendësuar modele, struktura dhe vlera unifikuese me shtetet europiane dhe duke qenë në akord absolut me vlerat, interesat dhe politikat e SHBA-së. Dhe, çështja qëndron pikërisht këtu: çka nëse “bota jonë model”, bota perëndimore, nuk është më ajo që ishte deri më sot?! Drejt cilave vlera, principe dhe mekanizma do të orientohet përpjekja kolektive për siguri, progres dhe mirëqenie?! Ndonëse kjo është pyetje retorike – sidomos për shtetet ballkanike që kanë orientim të qartë perëndimor dhe nuk kanë alternative ndaj tij – ecuria e luftës Rusi-Ukrainë i determinon në masë të madhe zhvillimet në kontinent, por jo vetëm. Dilemat e tilla mbase mund të mos jenë më reale në një skenar të mirë, ku lufta do të mbaronte dhe bota perëndimore do të nxjerrë mësimet e nevojshme dhe do të jetë edhe më rigoroze në principet e saj ose projektin liberal e demokratik. Edhe skenarët e tjerë nuk parashohin – një perëndim unanim që e braktis veten, veten historike, civilizuese dhe ushtarake. Prandaj përpjekja e vendeve aspiruese të Ballkanit Perëndimor për integrim euro-atlantik duhet të ruhen me seriozitetin, intensitetin dhe përkushtimin maksimal, duke besuar kështu në një botë pa ekstremizma, duke shërbyer si model i besimit në vlerat humane dhe demokratike.

Adresimi nacional i pakënaqësive dhe revoltave

Nga ana tjetër, vendet duhet t’i adresojnë në mënyrë profesionale dhe shumëdimensionale shqetësimet për rritjen e ekstremizmit edhe brenda kufijve të tyre. Gjetja e mekanizmave adekuatë për menaxhimin e shqetësimeve, urrejtjes potenciale dhe ndjenjës së hakmarrjes, revoltës së pakontrolluar etj., është qenësore në këtë proces delikat nëpër të cilin po kalon kontinenti ynë. Edhe shoqëria, vetë komuniteti, është përgjegjës për gjenerimin e motiveve, gjetjen e rrugëve të matura për ruajtjen e paqes dhe rendit, duke qenë vigjilent se përmes përpjekjes për të rregulluar a kundërshtuar gjërat shpejt e skajshëm, mund të rrënohen edhe gjërat fundamentale që me vështirësi janë ndërtuar dhe tashmë kanë marrë formë. Shoqëria, përmes besimit në vlerat e komunitetit, respektit për përjetimet e përbashkëta dhe përdorimit të kujtesës kolektive si referencë historike, mund të ketë rol primar në edukimin kolektiv për një vend e, rrjedhimisht, një botë më të mirë, ku nuk lejohet rrënimi i asaj që është ndërtuar gjatë rrugëtimit historik e njerëzor të komunitetit. Kjo nënkupton një fakt tjetër, se pasiguria e jostabiliteti në botë dhe rajon mund të shërbejnë si shkas për solidaritet të brendshëm, që shoqëria të kthehet tek vetja e të reflektojë duke ia gjetur vendin vetes në procesin historik dhe në konstelacionin aktual.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button