Durmishi: Zhgënjyes dhe i papranueshëm fjalori i ministrit Ferit Hoxha- të reagojë Tirana zyrtare

Ministri i Ekonomisë dhe Punës dhe njëri nga eksponentët e lartë të VLEN-it, Besar Durmishi ka reaguar ndaj fjalorit të ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha ku shqiptarët e Maqedonisë së Veriut i quan “idiotë”.
“Zhgënjyes dhe i papranueshëm fjalori i ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, z. Ferit Hoxha, i cili i quan shqiptarët e Maqedonisë së Veriut ‘idiotë’. Presim reagim dhe sqarim urgjent nga Tirana zyrtare, ndërsa ministri Hoxha duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për ofendimet e bëra”, ka thënë Durmishi.
Kjo lloj gjuhe, sipas tij, shkel çdo kodeks etik e profesional dhe është skandaloze për një përfaqësues shteti.
“I rikujtojmë z. Hoxha, se e ka obligim kushtetues të kujdeset për bashkëkombasit e vet që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë”, shprehet ai.
Sipas Durmishit, madje shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë fqinj nga projekti i dashur i Tiranës zyrtare Open Balkan, por pjesë e pandashme e trungut kombëtar.
“Në të njëjtën kohë, zhgënjen edhe heshtja e ambasadorit shqiptar në Shkup, z. Denion Meidani i cili në vend se të reagojë ndaj fjalorit të tillë, ka zgjedhur ta bëjë zëdhënësin e disa partive politike në Maqedoninë e Veriut”, ka thënë ministri Durmishi.


