Do të vendosen mbi 200 kamera në Shkup, synohet parandalimi i deponive ilegale dhe vandalizmit

-Më shumë se 200 kamera planifikohet të vendosen në pika kritike në Shkup, në lokacione ku krijohen deponi ilegale dhe në parqe që janë cak i vandalizmit, njoftoi sot kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Për vendosjen e tyre, siç tha ai, pritet miratimi përfundimtar nga Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
“Tani po presim miratimin përfundimtar nga Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Do të vendosim më shumë se 200 kamera në pika kritike në të gjithë Qytetin e Shkupit. Do të përfshihen lokacionet ku krijohen deponi dhe parqet që vazhdimisht janë cak i dëmtimeve”, tha Gjorgjievski.
Si shembull, ai përmendi fontanën e rinovuar “Lotos” në Parkun e Qytetit dhe dëmtimin e pajisjeve urbane me grafite.
“E rinovuam pas kaq shumë vitesh dhe tani duket e mrekullueshme. Ajo është një nga simbolet e Shkupit. Që nga rinovimi, tri herë deri më tani, bankat janë vizatuar me grafite, ndërsa ne vazhdimisht i lyejmë përmes ndërmarrjes sonë publike”, tha Gjorgjievski.
Sipas tij, përveç marrjes së masave, është e domosdoshme të punohet edhe për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për ruajtjen e hapësirave publike.
“Qyteti i Shkupit nuk është i Orces dhe as i ndonjë partie politike. Qyteti është i të gjithë shkupjanëve dhe, ashtu siç e ruajmë shtëpinë tonë, duhet ta ruajmë edhe qytetin”, theksoi Gjorgjievski.
Ai nënvizoi se paratë që shpenzohen për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga sjelljet e papërgjegjshme mund të përdoreshin për projekte të tjera, përfshirë ndërtimin e parqeve të reja.
Gjorgjievski bëri të ditur se në Butel është drejt përfundimit ndërtimi i një parku me sipërfaqe prej 86.000 metrash katrorë, në një hapësirë ku më parë kishte deponi ilegale. Ai përmendi gjithashtu një park në Karposh me sipërfaqe prej mbi 70.000 metrash katrorë.
“Nëse vetëm i pastrojmë këto vende, sipas meje, kjo nuk mjafton. Duhet t’u japim përmbajtje të re lokacioneve që në të kaluarën kanë qenë cak i krijimit të deponive ilegale”, tha Gjorgjievski.
Ai paralajmëroi edhe rregullimin e një hapësire në Aerodrom me sipërfaqe prej rreth 100.000 metrash katrorë, me synimin që ajo të vihet në funksion deri në fund të vitit të ardhshëm.
Sa i përket deponisë së Vardarishtes, Gjorgjievski tha se bëhet fjalë për një sipërfaqe prej më shumë se 600.000 metrash katrorë. Sipas tij, një fazë e punimeve ka përfunduar, ndërsa në vijim pritet dekontaminimi i tokës me mbështetjen e Qeverisë.
“Besoj se nga pranvera do të nisnim procedurën për rregullimin e kësaj hapësire, me qëllim që aty të krijohet një park i ri i përmasave të tilla për Qytetin e Shkupit”, theksoi kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski.



