Dislokimi i trupave në Ukrainë mund të hapë diskutime për praninë e tyre në Ballkan

Ndërsa bisedimet për një armëpushim në Ukrainë po vazhdojnë edhe debati mbi dislokimin e trupave evropiane ka marrë intensitet. Nëse vendet aleate të NATO-s vendosin trupa në Ukrainë pas një marrëveshjeje për paqe, kjo mund të hapë diskutime edhe për praninë e tyre në Ballkan, përfshirë Kosovën. Këtë mundësi e përmendi edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Mark Rutte tek komentoi riaranzhimet ushtarake të aleatëve perëndimorë.

Dislokimi i trupave evropiane aleate të NATO-s në Ukrainë pas një marrëveshjeje për paqe mund të shkaktojë një efekt domino, duke vënë në diskutim praninë e forcave perëndimore në Ballkan, përfshirë Kosovën.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, më 11 mars u bëri thirrje shefave ushtarakë evropianë dhe të NATO-s që të hartojnë një plan “për garancitë e besueshme të sigurisë” për Ukrainën në rast të një armëpushimi.

Të njëjtën ditë, në Kosovë qëndroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, i cili u pyet nëse dërgimi i trupave në Ukrainë do të ndikonte në përkushtimin e aleatëve në kuadër të KFOR-it në Kosovë.

“Ju duhet një marrëveshje paqeje, ju duhet më pas misioni i garancisë së sigurisë siç po projektohet në këtë moment nga francezët dhe britanikët që po e drejtojnë atë debat. Dhe më pas duhet të shohim se çfarë do të thotë kjo për praninë e trupave në krahun lindor, por edhe këtu në Ballkanin Perëndimor. Por deri atëherë do të kemi kaluar tre hapa dhe nuk dua të hyj në të gjitha ato me çfarë-nëse”, tha Mark Rutte.

Ai shtoi se ky diskutim vjen në rend dite, pasi të arrihet armëpushimi ose marrëveshja, për të cilën është duke punuar SHBA-ja.

Megjithëkëtë Rutte, tha se aleanca është e gatshme t’i përgjigjet çdo zhvillimi të sigurisë në Kosovë, tek kërkoi nga Kosova e Serbia fleksibilitet e kompromise në dialog.

Pesë fuqitë kryesore ushtarake të Evropës – Franca, Britania, Gjermania, Italia dhe Polonia janë duke zhvilluar negociata për fuqizimin e kapaciteteve të sigurisë si dhe mbështetjen ushtarake për Ukrainën.

Javën e kaluar, shefja e BE-së Ursula von der Leyen zbardhi një plan prej rreth 800 miliardë eurosh për mbrojtjen e Evropës dhe ofrimin e mbështetjes ushtarake për Ukrainën.

E Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë prej kohësh se nuk do të dërgojnë trupa në Ukrainë. Presidenti Donald Trump po ashtu nuk ka treguar nëse Uashingtoni do të garantonte një dislokim të trupave të udhëhequra nga Evropa.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button