Deputetja e VLEN-it, Imerlije Saliu, vlerëson punën e Orhan Murtezanit: Trashëgimi institucionale që meriton respekt

Deputetja e koalicionit VLEN, Imerlije Saliu, ka shprehur një falënderim publik për ministrin e Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, duke vlerësuar, siç tha ajo, gatishmërinë politike, pjekurinë dhe maturinë institucionale të treguar gjatë ushtrimit të detyrës së tij.
“Në një kohë kur politika shpesh karakterizohet nga tensione dhe kalkulime afatshkurtra, qasja e ministrit Murtezani ishte shembull i përgjegjësisë, seriozitetit dhe fokusit në rezultate konkrete”, thekson Saliu në reagimin e saj.
Ajo nënvizon se brenda strukturave të Aleancës për Shqiptarët dhe koalicionit VLEN ka kuadro të dëshmuara, duke veçuar Murtezanin si një prej tyre.
“Jemi krenarë që brenda AAA-së dhe VLEN-it kemi kuadro si Orhan Murtezani”, deklaron deputetja.
Sipas Saliut, gjatë mandatit të Murtezanit janë vendosur themele të rëndësishme institucionale, është përgatitur dhe ka nisur zbatimi i Agjendës Reformuese 2024–2027, si dhe është ndërtuar një strukturë funksionale për zbatimin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian. Ajo thekson se Maqedonia e Veriut është bërë vendi i parë në rajon që ka siguruar parafinancim nga Instrumenti i Reformave dhe Rritjes. “Këto nuk janë deklarata politike, por rezultate konkrete”, nënvizon Saliu.
Deputetja shton se gjatë kësaj periudhe janë siguruar fonde të konsiderueshme evropiane, është përmbyllur procesi i anëtarësimit në SEPA dhe është përgatitur një portofol projektesh prioritare që do të shërbejnë si bazë për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit në të ardhmen.
“Ndryshimet e funksioneve janë pjesë e natyrshme e jetës politike, por puna e mirë mbetet. Kontributi i Orhan Murtezanit përbën një trashëgimi institucionale që meriton respekt dhe vlerësim”, thekson Saliu.
Në fund, ajo e falënderon Murtezanin për angazhimin e tij dhe i uron suksese të mëtejshme.
“Me bindjen se shteti ecën përpara kur dimë të vlerësojmë punën e ndershme dhe profesionale, e falënderoj ministrin Murtezani për angazhimin e tij. Faleminderit që na përfaqësove faqebardhë”, përfundon deputetja e VLEN-it.



