Deputetët zvogëluan koeficienin për pagat që ndalon rritjen

Deputetët në Kuvend e kanë zvogëluar koeficientin për pagat nga 3.04 në 2.69 dhe nga 3.92 në 3.47. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se pagat e tyre do të ulen, por se nuk do të rriten në mënyrë drastike. Komisioni përgjegjës i Kuvendit ka miratuar sot një koeficient që synon të ndalojë rritjen disproporcionale të pagave të zyrtarëve.
Pagat e zyrtarëve llogariten duke shumëzuar pagën mesatare vjetore të vitit të kaluar me një koeficient që ndryshon sipas kompleksitetit të pozicionit të punës. Kjo metodë ka shkaktuar rritje të mëdha të pagave të zyrtarëve dhe një hendek të madh mes pagave të tyre dhe atyre të qytetarëve të tjerë. Për këtë arsye, janë propozuar ndryshime ligjore.
Të gjithë anëtarët e komisionit votuan “pro” propozimit, dhe askush nuk kërkoi të diskutojë. Koeficientët e rinj do të fillojnë të zbatohen nga muaji i ardhshëm.
Pagat e zyrtarëve u rritën me 78% pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar bazën e dyfishtë për llogaritjen e tyre. Kjo shkaktoi pakënaqësi të madhe midis qytetarëve, punëtorëve dhe sindikatave, të cilat organizuan disa protesta. Si pasojë, pranverën e kaluar u ndërmorën hapa të ngjashëm për të frenuar rritjen e pagave të zyrtarëve publikë.
Pa uljen e koeficientëve, pagat e zyrtarëve këtë muaj do të ishin rritur me 130 deri në 330 euro. Megjithatë, edhe me zvogëlimin e koeficientëve, për shkak të rritjes së pagës mesatare, pagat e tyre do të rriten sërish, por jo në mënyrë drastike, dhe kjo rritje do të lëvizë nga 3,000 deri në 6,000 denarë.