Delegacioni i Kuvendit të RMV-së do të marrë pjesë në Asamblenë e 152-të të Unionit Ndërparlamentar në Stamboll

Delegacioni i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, i udhëhequr nga kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, do të marrë pjesë në Sesionin e 152-të të Unionit Ndërparlamentar, i cili do të mbahet nga 15 deri më 19 prill 2026 në Stamboll, Republika e Turqisë.
Tema kryesore e debatit të përgjithshëm është: “Kultivimi i shpresës, konsolidimi i paqes dhe sigurimi i drejtësisë për brezat e ardhshëm”.
Mikpritës i ngjarjes është Kuvendi i Madh Kombëtar i Turqisë.
Në përbërje të delegacionit parlamentar, përveç Gashit, i cili është edhe shef i delegacionit në Unionin Ndërparlamentar (IPU), janë edhe: Nikolla Micevski, Oliver Spasovski, Bekim Qoku, Boban Karapejovski, Arbana Pasholli dhe Jovana Mojsoska si anëtarë, si dhe Marina Dimovska, sekretare e përgjithshme e Kuvendit.
Në Sesionin e 152-të do të mbajnë mbledhje të gjitha organet statutare të IPU-së, përfshirë Këshillin Drejtues, katër komisionet e përhershme, Forumin e grave deputete, Forumin e deputetëve të rinj, Komitetin për të drejtat e njeriut të deputetëve dhe të tjera.
Në kuadër të debatit të përgjithshëm do të zhvillohet edhe një segment i veçantë për llogaridhënie lidhur me zbatimin e rezolutave dhe vendimeve të IPU-së, ndërsa pritet që Kuvendi të miratojë një dokument përfundimtar për temën kryesore të debatit, njoftojnë nga shërbimi për shtyp i Kuvendit.
Gjithashtu, pritet miratimi i rezolutave të propozuara nga dy komisione. Komisioni i përhershëm për paqe dhe siguri ndërkombëtare do të diskutojë për rolin e parlamenteve në vendosjen e mekanizmave të fortë për menaxhimin pas konflikteve dhe në rindërtimin e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.
Komisioni i përhershëm për zhvillim të qëndrueshëm do të shqyrtojë çështje që lidhen me ndërtimin e një ekonomie globale të drejtë dhe të qëndrueshme, me theks në luftën kundër proteksionizmit, uljen e tarifave dhe parandalimin e shmangies së tatimit nga korporatat.
Një nga çështjet më të rëndësishme të këtij sesioni është zgjedhja e sekretarit të përgjithshëm të IPU-së, i cili do të zëvendësojë sekretarin aktual Martin Çungong, të cilit i përfundon mandati i tretë dhe i fundit më 30 qershor 2026. Në garë të ngushtë janë pesë kandidatë nga rajone të ndryshme të botës.
Në këtë sesion pritet gjithashtu të miratohet strategjia e re e IPU-së për periudhën 2027–2032.
Këtë vit shënohet 50-vjetori i themelimit të Komitetit të IPU-së për të drejtat e njeriut të parlamentarëve, i cili përfaqëson një mekanizëm unik ndërkombëtar, i dedikuar ekskluzivisht për mbrojtjen e të drejtave të parlamentarëve në mbarë botën.
Në kuadër të sesionit do të mbahet edhe një takim i Shoqatës së sekretarëve të përgjithshëm të parlamenteve, si dhe punëtori dhe aktivitete shtesë që lidhen me forcimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, dialogun ndërfetar, ndryshimet klimatike dhe tema të tjera, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Unioni Ndërparlamentar është një organizatë botërore e parlamenteve. Është themeluar në vitin 1889 si organizata e parë politike shumëpalëshe në botë, me qëllim nxitjen e bashkëpunimit dhe dialogut ndërmjet kombeve.
Sot, IPU përfshin 183 parlamente kombëtare dhe 15 asamble parlamentare ndërkombëtare dhe promovon paqen, demokracinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut është anëtar aktiv i kësaj organizate dhe merr pjesë rregullisht në aktivitetet e saj.



