Britania, Franca dhe Gjermania sanksionojnë Iranin
Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania kanë njoftuar sanksione të reja ndaj Iranit për furnizimin e Rusisë me raketa balistike për përdorim në Ukrainë.
Ndër masat e reja, të cilat janë njoftuar ndërsa sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken po qëndron në Londër, janë kufizimet në aftësinë e “Iran Air” për të fluturuar në Mbretëri të Bashkuar dhe Evropë.
Zyrtarët perëndimorë thonë se raketat iraniane janë përdorur për të goditur objektivat civile në Ukrainë, raporton BBC.
Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, gjithashtu përshëndeti masat, duke thënë se raketat ishin përdorur për të goditur objektivat civile në Ukrainë pas dorëzimit të tyre nga Teherani zyrtar.
Ai ka shtuar se personeli rus kishte marrë trajnime nga forcat iraniane se si të përdorin në mënyrë efektive raketat.
Pesë anije mallrash ruse janë sanksionuar gjithashtu, për transportimin e furnizimeve ushtarake nga Irani.