Bota reagon ndaj vrasjes së shefit politik të Hamasit, Haniyeh në Iran

Lideri politik i Hamasit, Ismail Haniyeh është vrarë në kryeqytetin e Iranit, Teheran. Vdekja e tij është konfirmuar në deklarata të veçanta nga grupi palestinez që drejton Rripin e Gazës dhe Korpusin elitar të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.
Sami Abu Zuhri, zyrtar i lartë i Hamasit
“Kjo vrasje nga okupimi izraelit i vëllait Haniyeh është një përshkallëzim i rëndë që synon të thyejë vullnetin e Hamasit dhe vullnetin e popullit tonë dhe të arrijë qëllime të rreme. Ne konfirmojmë se ky përshkallëzim nuk do të arrijë objektivat e tij.
“Hamasi është koncept dhe institucion dhe jo persona. Hamasi do të vazhdojë në këtë rrugë pa marrë parasysh sakrificat dhe ne kemi besim në fitore”.
Muhammad al-Hindi, Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i Xhihadit Islamik Palestinez
“Kjo vrasje nuk është e drejtuar vetëm ndaj rezistencës palestineze dhe Hamasit në veçanti, por është e drejtuar edhe ndaj Iranit. Izraeli është në prag të kolapsit dhe reagimet e tij pasqyrojnë konfuzionin dhe paaftësinë për të arritur ndonjë nga qëllimet e tij. Izraeli po përballet me një rezistencë të tillë për herë të parë në historinë e tij.”
Amichai Eliyahu, ministri i trashëgimisë i Izraelit
“Kjo është mënyra e duhur për të pastruar botën nga kjo pisllëk. Nuk ka më marrëveshje imagjinare paqeje/dorëzimi. Nuk ka më mëshirë. Dora e hekurt që do t’i godasë është ajo që do të sjellë paqe dhe pak rehati dhe do të forcojë aftësinë tonë për të jetuar në paqe me ata që dëshirojnë paqen. Vdekja e Haniyeh e bën botën pak më të mirë.”
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Nasser Kanaani
“Martirizimi i Haniyeh në Teheran do të forcojë lidhjen e thellë dhe të pathyeshme midis Teheranit, Palestinës dhe rezistencës,” tha Kanaani, sipas medias shtetërore iraniane.
Presidenti palestinez Mahmud Abbas
Abbas e dënoi ashpër vrasjen, duke e përshkruar atë si “një akt frikacak dhe një zhvillim të rrezikshëm”, sipas një deklarate nga agjencia zyrtare e lajmeve Wafa. Presidenti gjithashtu u bëri thirrje palestinezëve që të bashkohen dhe “të jenë të durueshëm dhe të palëkundur përballë pushtimit izraelit”.
Mikhail Bogdanov, zëvendësministër i Jashtëm i Rusisë
“Kjo është një vrasje politike absolutisht e papranueshme dhe do të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve”.
Mohammed Ali al-Houthi, kreu i Komitetit Suprem Revolucionar Houthi të Jemenit
“Të vësh në shënjestër Ismail Haniyeh është një krim i tmerrshëm terrorist dhe një shkelje flagrante e ligjeve dhe vlerave ideale.”
Katari
Shteti i Katarit dënon në termat më të ashpër vrasjen e Dr Ismail Haniyeh… [dhe] e konsideron atë një krim të urryer, një përshkallëzim të rrezikshëm dhe një shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar dhe humanitar. Ministria e Punëve të Jashtme pohon se ky atentat dhe sjellja e pamatur izraelite për shënjestrimin e vazhdueshëm të civilëve në Gaza do të çojë në rrëshqitje të rajonit në kaos dhe do të minojë shanset për paqe.
Turqia
Vrasja e Haniyeh “dëshmon edhe një herë se qeveria e Netanyahut e Izraelit nuk ka ndërmend të arrijë paqen”, tha në një deklaratë Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë. “Rajoni do të përballet me konflikte shumë më të mëdha nëse komuniteti ndërkombëtar nuk ndërmerr veprime për të ndaluar Izraelin.”