Besimi i konsumatorëve amerikanë bie ndjeshëm mes frikës së recesionit

Besimi i konsumatorëve në SHBA ra në nivelin më të ulët në më shumë se katër vjet në mars, pasi familjet u shprehën të shqetësuara për një recesion të mundshëm dhe inflacion më të lartë për shkak të tarifave tregtare.
Sipas Conference Board, anketat treguan një rritje të shqetësimeve mbi politikat tregtare dhe pasigurinë ekonomike. Indeksi i pritshmërive për të ardhmen ra në nivelin më të ulët në 12 vjet, duke kaluar pragun që sinjalizon një rënie ekonomike.
Tarifat e paqarta të presidentit Donald Trump janë kritikuar nga ekonomistët për krijimin e pasigurive që vështirësojnë planifikimin e bizneseve. Trump sinjalizoi se jo të gjitha tarifat e kërcënuara do të zbatohen më 2 prill, por paralajmëroi tarifa të reja për automjetet e importuara.
Indeksi i besimit të konsumatorëve ra me 7.2 pikë në 92.9, më i ulëti që nga janari 2021, duke shënuar rënien e katërt radhazi. Rënia u ndikua kryesisht nga grupmosha mbi 55 vjeç, ndërsa besimi u rrit lehtë tek të rinjtë nën 35 vjeç.
Rriten shqetësimet për recesion
Indeksi i pritshmërive për të ardhmen ra me 9.6 pikë në 65.2, duke arritur nivelin më të ulët në 12 vjet dhe duke sinjalizuar rrezik recesioni. Megjithatë, konsumatorët nuk treguan shenja të kufizimit të menjëhershëm të shpenzimeve. Ata planifikojnë të blejnë pajisje shtëpiake dhe të udhëtojnë në muajt e ardhshëm, ndoshta përpara rritjes së çmimeve nga tarifat.
Pritshmëritë e inflacionit për 12 muajt e ardhshëm u rritën në 6.2%, niveli më i lartë që nga prilli 2023.
Tregjet reaguan negativisht, me aksionet që pësuan rënie dhe dollarin që humbi vlerë ndaj valutave të tjera, ndërsa yield-et e Thesarit amerikan u rritën. /TRT World/