Bekim Sali takon ambasadorin e Malit të Zi, diskutojnë bashkëpunimin për integrimin evropian

Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Malit të Zi, ku kanë diskutuar për forcimin e bashkëpunimit në procesin e integrimit evropian dhe shkëmbimin e përvojave në zbatimin e reformave.
Sali ka vlerësuar përparimin e Malit të Zi në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar se ky proces përbën inkurajim për rajonin dhe se bashkëpunimi institucional mund të sjellë përfitime konkrete për qytetarët.
“Me ambasadorin e Malit të Zi biseduam për forcimin e bashkëpunimit në integrimin evropian dhe për shkëmbimin e përvojave në zbatimin e reformave.
Përparimi i Malit të Zi në negociatat e anëtarësimit është një inkurajim për të gjithë rajonin. Mbështesim ambicien e tij për t’u bërë anëtari i ardhshëm i Bashkimit Evropian dhe besojmë se çdo sukses në këtë rrugë e forcon perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Përmes bashkëpunimit institucional, shkëmbimit të ekspertizës dhe menaxhimit më efikas të fondeve evropiane, mund t’i shndërrojmë reformat në përfitime konkrete për qytetarët”, ka shkruar Sali.



