Bekim Sali: Opozita për 20 vjet nuk e zgjidhi përfaqësimin e drejtë, ne propozuam ligj konkret

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, deklaroi se Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat tashmë është miratuar nga Qeveria si propozim-ligj dhe është proceduar në Kuvendin e RMV-së.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari lidhur me qëndrimin e partive opozitare që kanë paralajmëruar bllokim të ligjit me mekanizmin e Badenterit, Sali tha se mënyra se si do të veprojë opozita mbetet vendim i tyre politik.
Ai theksoi se qeveria ka ofruar një propozim që, sipas tij, është në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit, ndonëse ky ligj është dashur të miratohej që në katër vitet e para pas nënshkrimit të marrëveshjes.
“Me një vonesë prej 20 vitesh, ne propozojmë një ligj konkret që besojmë se është më i përshtatshëm për rrethanat aktuale dhe që do t’i mbrojë interesat etnike të shqiptarëve dhe të etniteteve tjera, pasi nuk është i fokusuar vetëm në një etni”, deklaroi Sali.
Ai shtoi se tani mbetet obligim i deputetëve të propozojnë amendamente dhe të hapet debat publik për avancimin e mëtejmë të ligjit.



