BE shprehet e gatshme për të mbrojtur interesat nëse SHBA i vendos tarifa

Mes frikës se presidenti amerikan Donald Trump do të vendosë tarifa, kryetarja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, tha se unioni është i përgatitur të përgjigjet me vendosmëri ndaj çdo mase të padrejtë ose arbitrare tregtare, raporton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për media në Gdansk, Poloni, von der Leyen theksoi lidhjet e thella ekonomike midis BE-së dhe SHBA-së, duke përmendur një vëllim tregtar prej 1,5 trilion euro.
“Ne duam ta mbajmë të fortë partneritetin transatlantik, jo vetëm për shkak të lidhjeve tona historike, por sepse është një biznes i zgjuar”, tha ajo, duke theksuar rëndësinë e industrive dhe vendeve të punës në të dy anët e Atlantikut.
Megjithatë, shtoi ajo, BE nuk do të hezitojë të mbrohet kundër masave diskriminuese tregtare. “Kur bëhet fjalë për përgjigje të synuara, të paraqitura me pa të drejtë ose masa arbitrare, Bashkimi Evropian do të përgjigjet me vendosmëri”, paralajmëroi von der Leyen.
Përtej tregtisë, siguria mbetet një shqetësim urgjent, veçanërisht në kufirin lindor të BE-së, theksoi ajo.
Ajo e përshkroi krizën e vazhdueshme të emigrantëve në kufirin e Polonisë si një “kërcënim hibrid”, duke akuzuar Rusinë dhe Bjellorusinë për përdorimin e migracionit si një armë politike. “Kjo nuk është një çështje e migrimit. Kjo është një çështje e sigurisë kombëtare”, tha von der Leyen.
Ajo tha se për të adresuar këtë çështje, BE-ja po intensifikon bashkëpunimin me vendet e origjinës për të frenuar migrimin e parregullt.
“Nëse doni të vini në Bashkimin Evropian, mos provoni kontrabandistët dhe trafikantët. Ata marrin paratë tuaja, ju rrezikoni jetën tuaj dhe ju do të ktheheni”, paralajmëroi ajo, duke mbrojtur rrugët e migrimit legal dhe investimet në arsim.
Trump ka thënë se tarifat kundër unionit 27-anëtarësh “do të ndodhin patjetër” dhe do të inkuadrohen “shumë shpejt”.