BE-ja gjobit platformën e tregtisë onlajn Temu me 200 milionë euro për produkte ilegale dhe të pasigurta

Komisioni Evropian ka gjobitur kompaninë kineze të tregtisë onlajn Temu me 200 milionë euro, duke thënë se kompania nuk arriti të mbrojë në mënyrë adekuate konsumatorët e BE-së nga produktet ilegale dhe të pasigurta të shitura në platformën e saj, transmeton Anadolu.

Komisioni tha se Temu nuk identifikoi ose vlerësoi siç duhet rreziqet me të cilat përballen përdoruesit në bllok dhe nënvlerësoi sa shpesh konsumatorët mund të hasnin mallra ilegale.

Sipas Komisionit, testet e blerjeve të fshehta të kryera gjatë hetimit zbuluan se shumë karikues të shitur në Temu nuk përmbushnin standardet bazë të sigurisë, ndërsa një përqindje e lartë lodrash për bebe përmbanin nivele të tepërta të kimikateve të rrezikshme ose paraqisnin rrezik mbytjeje.

Rregullatorët e BE-së thanë gjithashtu se Temu nuk arriti të vlerësojë se si sistemet e rekomandimeve dhe programet e promovimit përmes influencuesve mund të kontribuojnë në përhapjen e produkteve ilegale.

Gjoba u vendos sipas Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA) të Bashkimit Evropian, i cili kërkon që platformat e mëdha onlajn të vlerësojnë dhe të zbusin rreziqet që lidhen me përmbajtje dhe produkte ilegale.

“Vlerësimet e rrezikut nuk janë ushtrime formale, ato janë shtylla kryesore e DSA-së”, tha në një deklaratë nënkryetarja ekzekutive e Komisionit Evropian, Henna Virkkunen.

“Vlerësimi i rrezikut nga Temu nënvlerëson rreziqet konkrete, nuk është specifik, nuk bazohet në prova të forta dhe nuk është gjithëpërfshirës”, shtoi ajo.

Komisioni tha se Temu ka afat deri më 28 gusht për të paraqitur një plan që përshkruan mënyrën se si do të respektojë rregullat. Mosrespektimi mund të çojë në ndëshkime shtesë.

Hetimi filloi në tetor 2024.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button