Andonovski: Po ndalojmë 53 organizatorët e parë ilegalë të lojërave të fatit online

Ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, mbrëmë ishte i ftuar në emisionin “Pro apo Kundër” në televizionin Alfa, ku njoftoi një risi: nënshkrimin e urdhrit të parë për ndalimin e 53 organizatorëve të paligjshëm të lojërave të fatit online.
“Dua të theksoj një risi – kam nënshkruar urdhrin e parë për ndalimin e 53 organizatorëve të paligjshëm të lojërave të fatit online. Kjo nënkupton ndalimin e 53 portaleve që në mënyrë të paligjshme kanë ofruar lojëra të fatit në Maqedoni dhe ku janë të regjistruar lojtarë nga Maqedonia. E dimë se janë nga Maqedonia sepse qasen nga adresa IP maqedonase dhe shpenzojnë paratë e tyre atje”, sqaroi Andonovski.
Ministri shtoi se këto portale ilegale do të ndalohen për një periudhë të shkurtër.
“Këto 53 portale janë më aktive, që do të thotë se kanë numrin më të madh të lojtarëve dhe më shumë të ardhura. Urdhrin e kemi dërguar në AEK (Agjencia për Komunikime Elektronike), e cila në afatin më të shkurtër të mundshëm, e më së voni brenda 7 ditëve, duhet ta përcjellë atë tek operatorët e telekomunikacionit në Maqedoni, të cilët duhet menjëherë të ndërmarrin veprime dhe t’i ndalojnë”, shtoi ai.
Andonovski gjithashtu shpjegoi se ky është vetëm urdhri i parë për ndalimin e portaleve, pasi këto 53 janë më të përdorurat nga qytetarët, dhe se në periudhën e ardhshme do të vijojnë edhe të tjera. Ai shtoi se problemi qëndron edhe tek fakti se nuk dihet se ku shkojnë paratë dhe informacionet që qytetarët i japin këtyre portaleve, të cilat mund të keqpërdoren shumë lehtë në dëm të tyre.
“Ka një grup organizatorësh lojërash të fatit që vijnë nga Maqedonia, por faqet e tyre janë të regjistruara në domene të tjera, jo ‘.mk’, por ‘.net’, ‘.com’ e të tjera. E dimë se janë nga Maqedonia dhe këtu paraqitet rreziku, pasi mund të ketë vjedhje të fondeve. Nuk dimë aspak ku përfundojnë mjetet financiare të qytetarëve, nuk dimë ku shkojnë të dhënat e tyre personale që ata i vendosin në ato portale. Prandaj i kemi shënjestruar portalet më të përdorura, dhe menjëherë pas kësaj faze të parë, po përgatisim urdhrin e dytë dhe mendoj se brenda një muaji do të arrijmë edhe në 160 portale”, përfundoi Andonovski.