Aliu: Digjitalizimi dhe qëndrueshmëria e sistemit shëndetësor janë prioritetet tona kryesore

Shkupi sot është nikoqir i seancës së 49-të plenare të Rrjetit Shëndetësor të Evropës Juglindore, një ngjarje që bashkon përfaqësues nga të gjitha vendet e rajonit me qëllim avancimin e politikave shëndetësore dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Në hapjen e seancës, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, theksoi se Rrjeti Shëndetësor tashmë për një çerek shekulli ka lidhur me sukses vendet e rajonit rreth një prioriteti të përbashkët – përmirësimit të shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve.
“Rrjeti Shëndetësor është shndërruar në një organizatë me ndikim ndërqeveritar, e cila sot bashkon nëntë vende anëtare dhe shërben si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave, ndërtimin e kapaciteteve dhe avancimin e politikave shëndetësore”, deklaroi Aliu.
Ai nënvizoi se seanca plenare e këtij viti është e përqendruar në temat që lidhen me inovacionet digjitale në shëndetësi, forcimin e aftësive udhëheqëse dhe rolin e infermierëve, si dhe gatishmërinë e sistemeve shëndetësore për t’u përballur me situata krize dhe emergjenca.
Ministri theksoi se shteti mbetet i përkushtuar ndaj digjitalizimit të sektorit shëndetësor, zhvillimit të profesionalizmit në infermieri dhe forcimit të kapaciteteve për reagim ndaj kërcënimeve shëndetësore dhe rasteve emergjente.
Në fjalimin e tij, Aliu paralajmëroi edhe një konferencë rajonale të ministrave të Shëndetësisë të Evropës Juglindore, e cila do të mbahet në shtator nën patronazhin e Bankës Botërore, me qëllim thellimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e praktikave më të mira.
Pjesëmarrësit në seancën plenare do të diskutojnë sfidat e përbashkëta dhe mundësitë për zhvillimin e sistemeve shëndetësore më të qëndrueshme, më efikase dhe më gjithëpërfshirëse në rajon.



