Alarm i rremë bombe në disa shkolla në Tetovë, Policia: Po punohet për zbardhjen e rastit

Për të katërtën herë me radhë, në shkollat e Tetovës dërgohet një email i rremë për alarm bombe. Këtë herë, alarmi nuk arriti në email-et e shkollave, por në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Shkup, me ç’rast u dha urdhër që nxënësit e dy gjimnazeve në Tetovë të evakuohen. Drejtori i gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” e konfirmon rastin, duke thënë se pas kontrolleve të policisë së Tetovës, mësimi ka vazhduar.

“Në mëngjes, afër orës 7 e 45 pasi filloi ora e parë, alarmin e dhanë organet e rendit, pra policia. Ngjashmëria është evidente por kësaj radhë dallimi është se nuk na kanë ardhur emale tek shkolla por ju ka shkuar emaili në polici dhe ne nuk dinim gjë. Në mëngjes nxënësit hynë në klasa dhe pastaj erdhi policia dhe kërkoi që nxënësit ta lëshojnë objektin shkollor. Dhe kështu ndodhi, policia bashkë me përgjegjësit e ndërrimit nxorën nxënësit nga mësimi dhe vijon kontrolli”, theksoi Jeton Kamberi – drejtor i Gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”.

Rasti është konfirmuar edhe nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, nga ku bëjnë të ditur se po punohet për zbardhjen e rastit dhe identifikimin e vendit nga është dërguar emaili.

“SPB Tetovë ka ndërmarrë menjëherë gjitha masat dhe aktivitetet dhe ka evakuuar shkollën nga nxënësit dhe janë siguruar në pjesët e jashtme. Janë marrë masat për kontroll të objektit, por u konstatua se bëhet fjalë për alarm të rrejshëm. Viteve të fundit këto alarme janë shpeshtuar, andaj MPB ndërmerr masa dhe sektori për krim kompjuterik dhe forenzik marrin masat për ta locuar personin që ka dërguar këtë email”, u shpreh Fatmir Rexhepi.

Sipas të dhënave brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme, emaili dyshohet të jetë shkruar në gjuhën maqedonase, pastaj përkthyer me Google në gjuhën shqipe, dhe është i ngjashëm me email-et apo alarmet e rreme të dërguara edhe më herët. Ndryshe, brenda një periudhe njëvjeçare, në shkollat e Tetovës kanë ndodhur katër raste të dërgimit të alarmeve të rreme për bomba të vendosura nëpër shkolla./TV21/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button