Afrim Gashi: Gjuha e shenjave është e drejtë themelore për pjesëmarrje të barabartë në shoqëri

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhëve të Shenjave, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka theksuar rëndësinë e komunikimit të barabartë dhe përfshirjes së personave të shurdhër dhe me dëmtim të dëgjimit.

“Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhëve të Shenjave, në Kuvend edhe një herë theksuam rëndësinë e komunikimit të barabartë, qasjes së barabartë dhe përfshirjes së plotë të personave të shurdhër dhe me dëmtim të dëgjimit në të gjitha sferat e jetës shoqërore.

Gjuha e shenjave është shumë më tepër se një mjet komunikimi. Ajo është pjesë e identitetit dhe kulturës, si dhe një e drejtë themelore e çdo njeriu për t’u dëgjuar, kuptuar dhe për të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në shoqëri. Detyrimi ynë si institucione është t’i eliminojmë barrierat dhe të krijojmë kushte që çdo qytetar të ketë qasje të barabartë në informacion dhe në institucionet publike.

Si Kryetar i Kuvendit, mbetem i përkushtuar për ndërtimin e një Kuvendi të hapur dhe gjithëpërfshirës, që respekton dallimet dhe është i qasshëm për të gjithë qytetarët. Një shoqëri gjithëpërfshirëse ndërtohet përmes mirëkuptimit, respektit dhe hapave konkretë drejt barazisë”, ka shkruar Gashi.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button