A duhet të reformohet BDI-ja, nëse jo?!

Shkruan: Skender Musliu

Duke patur parasysh shumicën e fuqishme parlamentare dhe stabilitetin politik të Qeverisë aktuale, dhe humbjes katastrofale të partive tjera opozitare maqedone dhe shqiptare, respektivisht LSDM-ës dhe AKI-së, të cilat pësuan debakël të vërtetë, me të drejtë shtrohet nevoja e reformave në këto parti, në veçanti në BDI, nëse ajo mendon të qëndrojnë edhe më tej në skenën politke.

Reforma në BDI është e domosdoshme dhe pa kushte, që do të nënkuptonte ndryshime të thella strukturore të partisë, në të gjitha nivelet. Këto ndryshime do të duhej të fillojnë prej kreut të saj, respektivisht tërheqjes së menjëhershme, së pari, të Ali Ahmetit, e pastaj të të gjithë ish ministrave, zëvendës ministrave, ish kryetarëve të komunave, ish drejtorëve të kompanive publike, dhe në përgjithësi të klanit të Ali Ahmetit, të cilët për një kohë të gjatë janë në BDI, e që u korruptuan duke keqpërdorur detyrën zyrtare.

Kjo garniturë e korruptuar politike, domosdoshmërisht duhet të zëvendësohet me intelektual dhe politikan të rinjë, të cilët kanë qenë të ngulfatur nga klanet e BDI-së, pa hipotekë inkriminuese, me koncept dhe vizion krejtësisht tjetër, kredibil dhe të përkushtuar të punojnë për interesat e qytetarëve, jo për pushtet, jo srvila, të nënshtruar dhe të dëgjueshëm ndaj padronit.

Në këtë kontekst, konsideroj se, apriori pjesë e këtyre reformave do të duhej të ishte ndryshimi i emrit të partisë, për shembull, në vend « BDI » ajo të emërohet si: »Partia e Re për Integrim « (PRI) ose ndonjë tjetër emër. Ky ndryshim i emërtimit të partisë do të duhej të bëhej me qëllim që ajo të shkëputet nga e kaluara e saj e hidhur.

Prandaj, pa largiminin e Ahmetit dhe « ushtrisë » së tij të korruptuar, nuk do të ketë ardhmëri, por vetëm degradim. Madje, edhe ata që do t’a trashigojnë partinë, edhe sikur t’a ndryshonin emërtimin e partisë, do t’a kenë shumë vështirë t’a rikthejnë ate në binarë.

Këtë që përmenda më lartë, dhe jo vetëm, nëse nuk merren parasysh dhe me seriozitet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së që pritet të mbahet, çdo gjë tjetër do të ishte improvizim, farsë, makiazh, mashtrim dhe manipulim me anëtarësinë dhe opinionin, e që do t’a vazhdonte agoninë dhe ramjen e lirë nga skena politike të BDI-së.

Dhe për fund, do të doja të tërheq një paralele dhe të pasqyroj ngjajshmëritë e themelimit dhe veprimit mes dy partive politike, respektivisht BDI-së së Ali Ahmetit dhe PDK-ës së Hashim Thaqit. BDI-ja si parti politike u formua si rrjedhojë e konfliktit 2001 dhe Marrëveshjes së Ohrit, kurse Partia Demokratike e Kosovës (PDK), u formua pas Marrëveshjes së Kumanovës, me çka mori fund lufta në Kosovë. Menjëherë pas konfliktit në Maqedoni dhe luftës në Kosovë, BDI-ja edhe PDK-ja erdhën në pushtet me shpresa dhe premtime të mëdha. Mirëpo klani i BDI-ës i kapur dhe i shantazhuar nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, për t’i shpëtuar drejtësisë, u detyrua t’i bëhet patericë partive maqedone dhe ti zbatojë politikat e tyre, sikurse edhe lidershipi i PDK-ës, i kapur dhe i shantazhuar nga dosjet e Serbisë, u bë vazal i Vuçiqit dhe Listës serbe, që shkoi aq larg, saqë rezikohej edhe ndarja e Kosovës. Po ashtu, edhe në Maqedoni u likuiduan disa ushtarak dhe komandantë, për të cilët akuzohej lidershipi i BDI-së, e që asnjëherë nuk u zbardhen, edhe në Kosovë u likuiduan aktivistë të LDK-ës dhe ushtarak të FARK-ut, për të cilat akuzohej lidershipi i PDK-ës, e që fatkeqësisht nuk u zbardhën as ato nga drejtësia.

BDI-ja dhe PDK-ja si parti që dolën nga lufta, me shpresë për një të ardhme më të mirë, fatkeqësisht, shumë shpejt u shndërruan në sinonim të së keqes, haraçit, hajnive, korrupsionit, krimit të organizuar, pasurimit personal dhe klanor, dhe jo vetëm, e gjithë kjo, në dëm dhe korriz të shqiptarëve, që edhe më tutje ngelën me problemet sociale dhe ekonomike, duke u shpërngulur, mbase politikat e BDI-së dhe PDK-ës ua humbën shpresën dhe perspektivën. Nga kjo po n’a del se lidershipi i BDI-së dhe PDK-ës kanë patur ngjajshmëri në mënyrën e veprimit, madje Ahmeti dhe Thaçi kanë qenë anëtarë të LPK-ës, të cilët edhe pse për një kohë kanë jetuar nëpër shtete perëndimore të Europës, ngelën me ide dhe botëkuptime marksiste, leniniste dhe enveriste.

Sëkëndejmi, pyetja që me të drejtë shtrohet është se, a i përmbushën pritshmëritë këto parti, të cilat ndër dekada qëndruan në pushtet ?! Pa i elaboruar arsyet, sepse ato dihen, konsideroj se, edhe njena edhe tjetra dështuan në misionin e tyre historik, që m’a përkujtonë thënjen e Victor Hugos, se « luftën e bëjnë heronjtë, qeverisin maskarenjt dhe përfitojnë horrat ».

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button