Izraeli duhet ta pranojë paktin për lirimin e pengjeve, thotë komandanti i ushtrisë

Komandanti i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, Gjeneral Lejtënant Eyal Zamir, ka thënë se ekziston një “marrëveshje në tavolinë” për lirimin e pengjeve të mbetura në Gaza, raporton televizioni BBC, duke cituar media izraelite.

Raportohet se komandanti ka thënë se ushtria i ka ndërtuar kushtet për marrëveshje dhe se tani ajo është në “duart e Netanyahut” [kryeministër i Izraelit], raporton televizioni “Channel 13”.

Të martën, kabineti i sigurisë i Izraelit pritet që ta diskutojë propozimin më të ri të çuar përpara nga ndërmjetësit rajonalë. Propozimi u pranua nga Hamasi para një jave.

Zhvillimi vjen pas protestave masive në Izrael më herët këtë muaj, kur qindra mijëra njerëz u mblodhën në Tel Aviv për të bërë thirrje për përfundimin e luftës në Gaza dhe për marrëveshje për lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi.

Forumi i Familjeve të Pengjeve dhe të të Zhdukurve tha se komandanti i ushtrisë izraelite e ka shprehur atë që “shumica e izraelitëve po e kërkojnë”, përfshirë marrëveshjen për lirimin e të gjitha 50 pengjeve të mbetura, prej të cilave besohet se 20 janë ende gjallë, si dhe për përfundimin e luftës.

Grupi ka planifikuar një protestë tjetër masive për të martën.

Propozimi më i ri, i paraqitur nga Egjipti dhe Katari, thuhet se është i mbështetur në një kornizë të çuar përpara në qershor nga emisari amerikan, Steve Witkoff.

Në propozim do të përfshihej lirimi i rreth gjysmës së pengjeve nga Hamasi në dy runde gjatë armëpushimit fillestar prej 60 ditësh. Do të kishte edhe bisedime për armëpushim të përhershëm.

Zyra e Netanyahut më parë ka thënë se Izraeli do ta pranonte marrëveshjen, vetëm nëse “të gjitha pengjet lirohen në një grup”.

Të shtunën, aeroplanë e tanke sulmuan pjesë të Qytetit Gaza, përderisa Izraeli e vazhdoi planin për ta marrë nën kontroll zonën më të madhe urbane të enklavës./Nacionale

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button